Të mos rrimë si qyqarë para racizmit kriminal të shqiptarëve të Shqipërisë

Të mos rrimë si qyqarë para racizmit kriminal të shqiptarëve të Shqipërisë

Nuk ka asnjë komb mbi dhé që han më shumë ksenofobi në Shqipëri se sa kosovarët. Kontakti i dendur në njëzet vitet e fundit, sidomos gjatë verës, ka bërë që marrëdhënia ‘vëllazërore’ e dikurshme të ekonomizohet në një marrëdhënie tepër banale e të ngushtë interesi. Shqiptarët e Shqipërisë mjelin ‘patriotizmin kuq-e-zi’ kosovar, ndërsa kosovarët shfrytëzojnë fukarallëkun dhe çmimet e lira për pushime në Shqipëri.

Frymëzimi për fjalitë e mësipërme nuk më vjen nga një varg incidentesh të ndryshme që bënë vaki në muajt dhe vitet e fundit e ku palët në konflikt ishin shqiptarët dhe kosovarët. Pronarë e punëtorë kafenesh, restorantesh e hotelesh, me një arrogancë të pakuptueshme rrisnin papritmas çmimet, dmth vidhnin, dhe nganjëherë i shanin e i sulmonin fizikisht turistët nga Kosova. Një herë jua kishin faturuar kosovarëve edhe tavolinën dhe karriget ku ishin ulë.

Në fakt, më shumë se nga këto incidente, kosovari e merr vesh se nuk është tamam shqiptar, e për më keq as tamam njeri, kur ndeshet me shikimin e një shqiptari/shqiptareje që e sheh brutalisht veç si një makinë paresh. Psikologu dhe i mbijetuari i famshëm i Holokaustit, Viktor Frankl, në kujtimet e tij për periudhën gjatë Kampit të Përqendrimit në Dachau, thotë se ishte pikërisht mënyra se si e shihnin ajo që e brente më shumë. Kosovari për një shqiptar është pushues i padinjitet. Respekti është gjithnjë i kushtëzuar nga sasia e pareve që filan kosovari ka.

Është e çuditshme se si shumica e kamerierëve shqiptarë janë çehrengrysur. S’ka nevojë t’i bëjmë psikografinë këtyre njerëzve aq sa të theksojmë ato që dihen për ekonominë kriminale të këtij shteti. Kamarierët shqiptarë janë çehrengrysur sepse paguhen tepër keq. Dhe përveç kësaj, nuk iu vyen kurrgjë pushuesi kosovar të cilit duhet me i shërby, sepse ai ka vlerën e një fature të cilën mund ta shkruajnë ashtu-kështu.

Për fat të keq, shoqëria shqiptare është kriminalizuar me hapa viganë në dekadën e fundit. Mafia shqiptare është bërë më kriminalja në krejt Evropën, aq sa kryeministri aktual i Britanisë Boris Johnson, në cilësinë e sekretarit të jashtëm, e kishte qortuar Kosovën në parlamentin tonë. Tashmë, në opinionin ndërkombëtar Shqipëria po cilësohet si narko-shtet. I vetmi në Evropë. Dhe, s’ka dyshim që një pjesë e madhe e pares së ndyrë të trafikut të drogës dhe trafikut të grave, shkon në turizëm. Kësisoj, s’ka pikë rëndësie se a shkon apo jo një kosovar në filan hoteli apo restoranti. Fatura do të shkruhet. Janë pushuesit fantazmë ata që e bëjnë shitjen më të madhe. Ata pushues të cilëve kamarierët nuk iu shërbejnë dhe kuzhinierët nuk iu gatuajnë.

Ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë ditëve sa ndodhesha në pushim, krenohej se si e kishte mbyllur hotelin ‘më të mirë’ në Dhërmi, shkaku që nuk kishte lëshuar fatura. Meqë ndodhesha bash në Dhërmi, dhe po shijoja infrastrukturën e lodhët turistike, ky lajm m’u duk tepër ironik. Kjo sepse, unë do të ndihesha një mijë herë më i sigurt në një hotel ku nuk lëshohej fatura, e rriteshin fitimet duke i ikur ngapak shtetit, se sa duke lëshuar vazhdimisht fatura. Kjo ndillte menjëherë paragjykimin e drejtë se hoteli a restoranti i caktuar ishte pjesë e lavatriçes gjigante të pareve të ndyra. Për shembull, në drekën e fundit në pushim, në faturë më shkruhej se po haja edhe perime, ama perimet s’ishin kurrkund.

E megjithatë, marrëdhënia shqiptaro-kosovare është komplikuar dyanshëm. Duke qenë Shqipëria një vend turistik dhe kosovarët konsumues të turizmit të tyre, shqiptarët janë në rolin e shërbëtorëve ndërsa kosovarët në rolin e të shërbyerve. Kjo e rrit edhe më shumë ksenofobinë e një pjese të madhe shqiptarësh. Dhe është e kuptueshme, pjesa që priret të ketë këto paragjykime është e varfër dhe e shtypur. Edhe pse e toleron dhe e normalizon krimin dhe drogën, këtë e bën sepse ka përjetu në trupin e vet njëmijë-e-një të këqija. S’mund t’i ngarkohet në kurriz edhe barra e moralit, fukarésë më të pafat në Evropë.

Por në anën tjetër, ne kosovarët s’e kemi asnjë arsye për të qëndruar si qyqarë e të padinjitet ndaj keqpritjes. Fajin për kriminalizimin e Shqipërisë nuk e kemi ne, por elita politike e këtij vendi. Ne i kemi një milion arsye që ta refuzojmë ‘nacionalizmin kuq-e-zi’ sepse përtej rrjeteve sociale ai të bën pjesë të një qyqarllëku të neveritshëm. Një prej këtyre një milion arsyeve është edhe shtypja e tmerrshme gjuhësore që ka ndodhur në pesëdhjetë vitet e fundit. Shqiptarët vazhdojnë me fanatizëm t’i rezistojnë kosovarçes, pavarësisht kontaktit të dendur qe dy dekada e gjysmë. Me një farë proteste, kamerierëve iu kërkoja ‘shpuzore’ për me shkund cigaren, dhe jo tavllë apo taketuke. Edhe pas gjithë këtyre viteve, ata s’e dinin se çkaje i referohej kjo fjalë, edhe pse ndodhet edhe në fjalorin e gjuhës tonë.

Shpërndaje në: