Të paktën këta tre ministra, mund të ecin te “shpia”

Të paktën këta tre ministra, mund të ecin te “shpia”

Gazeta Blic nga burime brenda koalicionit qeverisës ka marrë vesh se të paktën deri më tani ka dakordim ndërmjet dy partnerëve të koalicionit PDK- LDK, për emrat e ministrave që do të shkarkohen.

Sipas burimeve të Gazetës Blic dy ministra të PDK-së do të ndërrohen dhe të paktën një i LDK-së.

“Sipas listës së paraprake, sipas të gjitha gjasave do të ndërrohet ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, dhe ai i Arsimit, Arsim Bajrami, që vijnë nga radhët e PDK-së. Ndërkohë që, nga LDK-së, sipas të gjitha gjasave mund të shkarkohet ministrja e Tregtisë, Hykmete Bajrami”, ka thënë ky burim, duke shtuar se ende nuk ka një listë përfundimtare me emra, duke sqaruar se kjo listë është vetëm në formë drafti.

Ndërkohë, ky burim shton se sipas të gjitha gjasave, emra të rinj të ministrave mund të jenë, deputetja Blerta Deliu- Kodra e cila mund të vijë në pozitën e Ministrisë së Integrimeve, post ky i mbetur vakant me largimin e Bekim Çollakut, derisa Uran Ismaili mund ta zëvendësoj Stavilecin.

Kadri Veseli në vazhdimësi e kishte kritikuar qeverinë për dështim në ekonomi, dikaster që deri më tani është udhëhequr nga ana e Blerand Stavilecit.

Zyrtarisht askush as nga PDK e as nga LDK nuk kanë dashur të flasin për emrat e atyre që mund të vijnë në kabinetin qeveritar.

Por, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka paralajmëruar se në fillim të kësaj jave do të vendosin për riformatizimin e Qeverisë.

“Ne vetëm e kemi përfunduar, do të kemi emra të ministrave të rinj, do të kemi disa lëvizje të zëvendësministrave dhe sapo të kthehem nga kjo vizitë zyrtare, besoj që edhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës do të kthehet nga vizita zyrtare në Londër, ne do të  ne do ta finalizojmë këtë proces”, ka thënë Veseli.

Ka thënë se për shkak të korrektësisë nuk po i përmend emrat e atyre që do të largohen dhe as emrat e Zëvendësministrave që do të ndërrojnë dikasteret qeveritare.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës është ndër më të mëdhat jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, me 21 ministra, tre zëvendëskryeministra dhe me mbi 60 zëvendësministra./ Gazeta Blic

Shpërndaje në: