Teherani ia lë fajin shkrimtarit Salman Rushdie për sulmin ndaj tij

Teherani ia lë fajin shkrimtarit Salman Rushdie për sulmin ndaj tij

Teherani tha se Salman Rushdie është fajtor për sulmin me thikë ndaj tij, ndërkaq Uashingtoni kritikoi mediat shtetërore iraniane për reagimin e “neveritshëm” ndaj “këtij sulmi të tmerrshëm” që plagosi rëndë Rushdien.

Në reagimin e parë ndaj sulmit me thikë, Teherani tha më 15 gusht se mohon “në mënyrë kategorike” çdo lidhje me sulmin që ndodhi tri ditë më parë në shtetin e Nju Jorkut.

Rushdie u hoq nga ventilatori më 14 gusht dhe ishte në gjendje të flasë pasi ka pësuar lëndime të rënda me thikë. Ai u sulmua teksa po fliste në një panel për lirinë e shprehjes në Institutin Shatakua.

Fillimisht, Teherani kishte heshtur për sulmin, por sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dënoi mediat shtetërore iraniane për reagimin e tyre.

“Institucionet shtetërore iraniane, për gjenerata të tëra kanë nxitur dhunë ndaj Rushdie, dhe mediat e lidhura me shtetin së fundmi i janë gëzuar sulmit ndaj jetës së tij”, tha Blinken përmes një deklarate të publikuar në orët e vona të 14 gushtit.

“Kjo është e neveritshme”, shtoi ai.

Sulmuesi që po akuzohet për sulmin ndaj autorit të romanit kundërthënës “Vargjet Satanike”, është deklaruar i pafajshëm për veprat: tentim-vrasje dhe sulm. Por, prokurorët thanë se ky ka qenë një krim i planifikuar.

Avokati i sulmuesit, Hadi Matar, tha se klienti i tij deklarohet i pafajshëm. Një gjykatës ka urdhëruar që ai të mbahet në paraburgim, pa mundësi të lirimit me kusht.

Rushdie, 75 vjeç, në sulm ka pësuar dëme në mëlçi dhe i janë dëmtuar disa nerva në krah dhe sy. Ai ka të ngjarë që të humbë shikimin në syrin e lënduar.

Për vite me radhë, Rushdie është përballur me kërcënime me vdekje për shkak të romanit të tij, “Vargjet Satanike”, që shumë myslimanë e shohin si blasfemike.

Matar, 24 vjeç, po akuzohet se ka sulmuar autorin Rushdie në skenën e Institutit Shatakua dhe e ka goditur me thikë të paktën 10 herë në fytyrë, qafë dhe barkë.

Shpërndaje në: