Teknologjia është bërë aleat i terrorizmit

Teknologjia është bërë aleat i terrorizmit

Terrorizmi është efektiv shkaku që gjithnjë duket se ndodh afër. Gjithnjë duket i ri. Dhe gjithnjë duket personal. Që prej valës së parë terroriste përgjatë qyteteve të sapo-industrializuara të perëndimit në fund të shekullit 19 kjo ka qenë e vërtetë.

Duket personal sepse, megjithëse statistikat mund të tregojnë se është shumë më e mundshme të vdesim nëse pësojmë aksident në shtëpi, ne instinktivisht tërhiqemi nga sulmi që ndodh në rrugë, qytet apo në rastin e fundit, në Zelandë të Re, pjesën tjetër të humbur. Dhe që ne do të jemi në radhë për ta pësuar.

Terrorizmi gjithnjë duket afër – të paktën në një ambient që i ngjan atij në të cilin jetojmë ne – sepse imazhet shokuese në telefonët e televizionet tona fshijnë distancën mes neve dhe burimit të rrezikut. Duket gjithnjë i ri sepse edhe pse çdo sulm ndjek një shtrirje kohore të ngjashme me njëra tjetrin – raportimet e para mes kaosit dhe konfuzionit, deklaratat nga politikanët dhe policia, analizat nga komentues, identifikimi i sulmuesve dhe viktimave, ngushëllimet dhe flamujt në gjysëmshtizë, debatet për radikalizimin etj – secili është unik. Në vitet ’70, eksperti i terrorizmit Brian Michael Jenkins dha deklaratën e famshme se “terrorizmi ishte teatër”. Kjo shkurtimisht kap natyrën spektakulare e performative. Këto ditë, duket më shumë si një serial televiziv pa fund që çdokush dëshiron të përfundojë e që megjithatë e shikojnë me ëndje.

Që Brenton Tarrant, 28 vjeçari australian që i vrau 49 njerëz që po faleshin në xhamitë e Christchurchit, e incizoi live sulmin e tij në Facebook me anë të një kamere të montuar në helmetë GoPro është kulmi i ligësisë, por megjithatë rrjedhë e logjikshme dhe për fat të keq e paevitueshme.

Shumica e njerëzve mund të mendojnë se ndryshimet teknologjike që e kanë ndikuar terrorizmin janë armët dhe eksplozivet. Por ndryshimi madhor në këtë gjë ka ndodhur shumë kohë më parë. Dinamiti ishte patentuar më 1867 dhe armët automatike u përhapën pas Luftës së Dytë Botërore. Nëse terroristët kanë përdorur me raste armët kimike apo aeroplanët, pjesa më e madhe e sulmeve moderne përdorë teknologjinë që, në esencën e saj, nuk është diçka e re. Ajo çka ka ndryshuar dhe nuk njihet më janë mediat që i lejojnë individët dhe grupet që të shpërndajnë mesazhet e tyre.

Domethënia e kësaj huqet sepse jemi tepër të përqendruar te dhuna. Terrorizmi është propagandë përmes veprimit, term i lidhur me shekullin 19 nga praktikuesit e parë modernë. Veç dhuna nuk mjafton. Por dhuna ka aftësinë të terrorizojë – e të frymëzojë frikë të paarsyshme dhe të ndërrojë mendimet – por edhe të radikalizojë dhe mobilizojë po ashtu. Ka forcë të çojë mesazhe te armiqtë, mbështetësit, dhe ndoshta më e rëndësishmja, te ata që janë indiferentë ndaj tyre. Al-Qaida dhe ISIS-i e bënë të qartë këtë gjë. Po njëjtë edhe manifesti i Tarrantit. Çdo ndryshim në teknologjinë mediale gjatë gjysëm-shekullit të fundit e ka bërë më të lehtë për terroristët që të arrijnë qëllimet e tyre. Në vitet ’50 dhe ’60, radioja dhe fotogazetaria nënkuptonte se dhuna mund të influenconte opinionin publik edhe dhjetëra mijëra kilometra larg në fuqitë koloniale. Kështu që ekstremistët zgjodhën taktika të terrorit në ditët e fundit të mandatit britanik në Palestinë dhe gjatë luftës së Algjerisë për pavarësi nga Franca.

Në vitet ’70, terroristët ishin të shpejtë që të kapnin potencialin e transmetimeve televizive. Sulmi terrorist ndaj atletëve izraelitë në Lojërat Olimpike në Mynih më 1972 ishte përcjellur live nga rrjetet botërore. Operacioni terrorist ishte bërë në mënyrë që ta shfrytëzonte këtë kapacitet të ri. Në të 90’at, ishte ardhja e televizioneve satelitore. Nuk ishin më redaktorët perëndimore apo ata që punonin për regjimet arabe që vendosnin se çfarë lajmesh të transmetoheshin. Kanalet e komunikimit po bëheshin më direkte dhe kjo po i forconte tepër shumë militantët. Më 11 shtator 2001, Osama bin Ladeni e dinte që askush do t’i ndalte imazhet live të sulmeve masive të grupit të tij mbi ShBA-të dhe priste që ajo ngjarje të përcillej nga dy miliardë njerëzit e botës islame.

Dhe më pas erdhi ndryshimi më i madh: digjitalja. Ndërsa organizatat mediale evoluonin, kështu bënë edhe terroristët. Kishte qytetarë gazetarë që ndiqnin udhëzime të gjera por që nuk ishin formalisht e lidhur me organizatat dhe terroristët ‘freelance’ dolën në sipërfaqe. Mediat mainstream po bëheshin të tepërta. Pse të luftosh që të dalësh në BBC apo al-Jazeera kur ju mund të krijonit kanalet tuaja dhe të mbërrini audiencën tuaj direkt? Isisi dëshmoi se sa efektive mund të bëhet kjo.

Ekstremistët e së djathtës ishin më të ngadalshëm që të shfrytëzonin potencialin e këtij ndryshimi sizmik. Tash, me sulmin në Christchurch, treguan se e kapën. Ka pasë transmetime live të sulmeve terroriste edhe përpara – ekstremisti francez që lëshoi live transmetimin e sulmit me thikë ndaj policit dhe partnerit të tij më 2016.

Shpesh thuhet se kemi median që meritojmë por kjo është tepër e thjeshtuar. Por media, si terrorizmi, janë pjesë e shoqërive tona dhe, si terrorizmi, ndikohen nga trende më të gjera. Ndoshta elementi më i fortë këtu është se si në mizorinë në Zelandë të Re filmimi ishte pjesë integrale.

“Le t’ia nisim ahengut,” kishte thënë Tarranti, derisa futej në veturë, duke folur direkt me shikuesit. Ai e qiste veten në kamerë në atë që njihet si fenomeni më kontemporan: selfie. Poenta nuk ishte që veç t’i vriste myslimanët, por edhe të bënte video të dikujt që po i vriste myslimanët.

Tarranti tha në manifestin e tij se nuk donte të vdiste, por e pranonte se kjo mund të ndodhte. Por ai prapëseprapë do të shihet si martir i kauzës nga mbështetësit. Fjala martir ka origjinë greke dhe iu referohet dëshmitarit. Edhe ekuivalenti në arabisht ka rrënjë të ngjashme. Dëshmitarëve iu vyen një audiencë ose në të kundërt veprimet e tyre kanë boshe. Për disa terroristë, ai dëshmitarë është vetëm zoti, por këta janë të paktë. Për pjesën më të madhe, ajo audiencë, përmes Facebookut apo faqeve virtuale që nuk kontrollohen në kënde të errëta të webit, përmes mediave mainstream, dëshmitar është secili.

Në botën e Tarrantit, në videon e tij live, në mendjen e tij dhe të mbështetësve të tij, ai është luftëtar, hero racor, lider por po ashtu, në një sens kontemporan edhe yll medial, edhe nëse veç për një moment. Në një mënyrë të tmerrshme e të përçudnuar, ai s’e ka gabim. /Periskopi

Shpërndaje në: