Tensionet në Ukrainë, Blinken dhe Lavrov takohen urgjentisht

Tensionet në Ukrainë, Blinken dhe Lavrov takohen urgjentisht

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, do të zhvillojnë të premten bisedime në kohën e rritjes së shqetësimit se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën së shpejti.

Të enjten, kryediplomati amerikan e paralajmëroi Moskën për pasoja të rënda, nëse forcat e saj e kalojnë kufirin me Ukrainën, shkruan BBC.

Të mërkurën, sekretari i Departamentit të Shtetit e vizitoi Ukrainën, ku paralajmëroi se Rusia mund të sulmojë për një kohë shumë të shkurtër. Të enjten, ai qëndroi në Berlin, ku u takua me zyrtarë gjermanë, britanikë e francezë për të diskutuar rreth gjendjes në Ukrainë dhe rrezikun nga Rusia.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit kanë thënë se Blinkeni do të mundohet që t’i ofrojë Lavrovit një rrugëdalje diplomatike për uljen e tensioneve.

Duke folur pranë homologut të saj amerikan, kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, u zotua për veprim të menjëhershëm kundër çfarëdo pushtimi rus dhe nuk e përjashtoi vendosjen e masave që, siç tha ajo, “do të mund të kishin pasoja ekonomike për ne”.

Në bisedimet e së premtes, në lojë janë gjëra të mëdha, por ka pak pritje se ato do të prodhojnë ndonjë marrëveshje të rëndësishme për zgjidhjen e krizës. Amerikanët duan që të bisedojnë për shmangien e luftës në Ukrainë, ndërsa rusët duan të flasin për kërkesat e tyre që NATO-ja të mos zgjerohet në lindje.

 

 

Shpërndaje në: