Tensionet në Veri: Presidenti Sejdiu kërkon që situata të përcillet “çdo minutë” nga Kosova

Tensionet në Veri: Presidenti Sejdiu kërkon që situata të përcillet “çdo minutë” nga Kosova

Ish presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka folur për çështjen e reciprocitetit të targave në një prononcim për Periskopin.

Në pesë ditët e fundit, situata në veri të vendit ka qenë e tensionuar me qytetarë të etnisë serbe që vazhdojnë të protestojnë dhe bllokojnë rrugët dhe me pjesëtarë të Njësive Speciale që vazhdojnë të qëndrojnë në afërsi të pikave kufitare 1 dhe 31 që të mundësojnë zbatimin e masës.

Ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar që Serbia ka interes të ngris tensionet duke instrumentalizuar strukturat paralele në veri të vendit përmes të cilave ka për qëllim “të tregoj paqëndrueshmërinë e Kosovës dhe [jo]stabilitetin e saj të përgjithshëm.”

Ai i ka kërkuar Kosovës që të veprojë në mënyrë të prekur.

“Kosova s’ka qenë asnjëherë dhe nuk është, nuk e besoj, e interesuar që të nxis konflikte as me qytetarët e vet – në këtë rast as me qytetarët në veri [të komunitetit serb], dhe as me Serbinë sepse konfliktet kanë përfunduar,” – u shpreh z. Sejdiu për Periskopin.

Sidoqoftë, presidenti Sejdiu e sheh të nevojshme një intervenim të Bashkësisë Ndërkombëtare në lloj të trysnisë së veçantë ndaj Qeverisë së Serbisë.

Presidenti i Kosovës në kohën kur u shpall Kosova shtet i pavarur dhe sovran iu ka bërë thirrje autoriteteve kosovare për “veprime serioze, të arsyeshme dhe të matura” dhe për një menaxhim të situatës “çdo minutë” [sic].

“… dhe paralelisht, unë mendoj që është tepër e nevojshme që të ketë një bashkëpunim me të gjithë faktorët ndërkombëtarë të cilët e kanë mbështetur Kosovën në ecjet e saj të deritashme.”

Kujtojmë që reagimet e ShBA-ve dhe BE-së kanë qenë të drejtuara si ndaj palës kosovare, ashtu edhe ndaj Serbisë pa bërë ndonjë dallim  – përkundër që Serbia ka vepruar në mënyrë armiqësore ndaj Kosovës. /Periskopi

Shpërndaje në: