Tërmkolli reagon ashpër për vendimin për Ramën: Kërkon dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes

Tërmkolli reagon ashpër për vendimin për Ramën: Kërkon dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes

Ish-deputetja e Kuvendit, Melihate Tërmkolli, përmes një shkrimi të gjatë në rrjetin social “Facebook”, ka komentuar zhvillimet e fundit në FSK – dorëheqjen e Rrahman Ramës nga posti i komandantit të FSK-së dhe vendosjen në këtë post të Bashkim Jasharit, raporton Gazeta Blic.

Tërmkolli thotë se e gjithë kjo është bërë për hakmarrje për humbjen e Bekim Jasharit në Skenderaj dhe se këtë hakmarrje sipas saj, po e bënë presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti.

Tërmkolli ka shtuar se nëse janë të vërteta raportimet për arsyetimin e shkarkimit të Ramës nga posti i komandantit të FSK-së, atëherë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, duhet të shkarkohet nga posti që ai mban.

 

 

Shkrimi i plotë nga Melihate Tërmkolli:

Shenjat e “hakmarrjes” shtetërore!

Pyetje që duan përgjigje!

“Detyrimi” i dhënies së dorëheqjes së Rrahman Ramës nga pozita e Komandantit të FSK-së dhe emërimi i Bashkim Jasharit në këtë pozitë, a janë shenja për një hakmarrje të dyfishtë të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës ndaj qytetarëve dhe të gjithë “të tjerëve”?!

Së pari, kjo a tregon shenjë hakmarrjeje për humbjen e Bekim Jasharit në zgjedhjet komunale si kandidat joformal i tyre, i VV-së dhe listës imagjinare “Guxo”, më saktë si hakmarrje ndaj qytetarëve që guxuan të votojnë dikë tjetër e jo të preferuarin e tyre?!.

Së dyti, nëse janë të vërteta ato që u thanë në disa medie për automjetet e FSK-së, a është shenjë hakmarrjeje ndaj Komandantit të FSK-së i cili vendosë e vepron në bazë të ligjit dhe marrëveshjes me SHBA-të duke refuzuar veprimet parapolitike të Ministrit të Mbrojtjes?!

Nëse ka kërkuar Ministri i Mbrojtjes ato që janë thënë në medie, duhej të shkarkohej Ministri i Mbrojtjes për rrezikim të sigurisë nacionale. Nëse kjo ka qenë kërkesë apo miratim edhe i Kryeministrit apo Presidentes, ky vend është në rrezik të madh të kalimit të veprimeve të drejtuesve më të lartë të shtetit nga politika institucionale shtetërore në parapolitikë.

Presidentja dhe Kryeministri duhet të deklarohen për arsyet e “ngarkim-shkarkimit” në FSK dhe të japin shpjegime për këto ndryshime emergjente në kreun e saj për të evituar dyshimet në funksionimin e institucioneve shtetërore me ndjeshmëri të lartë, siç është FSK-ja.

#MT

Shpërndaje në: