Testi i madh për Kurtin, ultimatumi i Perëndimit për Kryeministrin e Kosovës përfundon nesër në mbrëmje

Testi i madh për Kurtin, ultimatumi i Perëndimit për Kryeministrin e Kosovës përfundon nesër në mbrëmje

Situata shqetësuese në veri të Kosovës ka zgjuar inkuadrim të pakusht, e urgjent, të komunitetit ndërkombëtar. Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe emisari i SHBA-ve, Gabriel Escobar, në një takim përmbi 2 orësh, të hënën, ia parashtruan kryeministrit Kurti propozimin e ndërkombëtarëve me tri kërkesa për t’ua “mbyllur kapakun” tensioneve. Pas disa ditësh mosdakordim me Kurtin, emisarët Lajçak dhe Escobar i kanë vendosur ultimatum Kryeministrit, thuajse si një test prove e përkushtimit të tij për koordinim me aleatët.

Përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak dhe ai i SHBA-ve, Gabriel Escobar, u vunë edhe një herë tjetër në një mision shtesë për t’i normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë, pas zhvillimeve të fundit në komunat veriore, shkruan Reporteri.net

Mirëpo, siç ka deklaruar Escobar, kryeministri Kurti nuk po ua bën aq të lehtë punën.

Kërkesat e komunitetit ndërkombëtar janë tri. E para, de-eskalimi i tensioneve në veri të Kosovës; e dyta, organizimi i zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen e komunitetit serb, dhe, e treta, të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe si një hap drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Në një intervistë me gazetarë të martën, një ditë pas takimit me shefin e ekzekutivit, emisari Gabriel Escobar tha se Kurti ka afat dy ditë për t’u përgjigjur kërkesave të tyre, çka nënkupton se tik-taket po shpeshtohen për afatin kohor që përfundon nesër, të mërkurën në mbrëmje, rreth orës 21:00.

Pas kësaj, Escobar bëri të ditur se të premtën, ai do të raportojë në SHBA, e emisari Lajçak në BE, lidhur me progresin ose jo drejt dakordimit.

“E para është deeskalimi, e dyta është duam të shohim zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe e treta duhet menjëherë të lëvizim drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit që nënkupton se duhet të shohim përpjekje reale nga Kosova që të angazhohet për Asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa nga Serbia”.

“Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, deklaroi Escobar në takim me gazetarë.

Tutje, Escobar po ashtu e kritikoi rëndë kryeministrin Kurti duke thënë se nuk ka “instinkt bashkëpunimi”, por shtoi se lidhja e SHBA-ve është me popullin e Kosovës.

“Në një pikë, kur të duam të rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha ai.

Qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti, proporcionalisht ndryshe
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë pas takimit të së hënës me Escobar dhe Lajçak, nuk u vërejt ndonjë shkëndijë e “të lëshuarit pe” nga ana e kryeministrit Kurti.

Komunikata theksoi se Kurti është i fiksuar pas, siç ka thënë ai, eliminimit të bandave kriminale të orkestruara nga Beogradi, në veri të Kosovës.

Kjo shihet si hapi numër një i tij për ta vazhduar bashkëpunimin me ndërkombëtarët për shtensionim të situatës.

“Kryeministri tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve”, u tha në njoftimin e ZKM-së dje.

Në sytë e Kryeministrit, zgjedhjet e lira mundësohen vetëm atëherë kur prangosen ose kthehen në Serbi këto grupe kriminale.

“Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore”, theksoi kryeministri Kurti.

“Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”.

Ai ftoi Brukselin dhe Washingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj.

Verdiktin e tij final, kryeministri Kurti ka afat që deri nesër ta japë përmes veprimeve dhe përgjigjes duke depërshkallëzuar situatën dhe duke përmbushur kërkesat që ka BE dhe SHBA ndaj tij, një prej të cilave është shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme në veri të Kosovës.

Çka tjetër deklaroi Escobar?
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në takimin me gazetarë ka folur edhe për nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Emisari amerikan para gazetarëve ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka draftin e Asociacionit, por që sipas tij ai po e mban fshehur.

Escobar, i cili që nga dje po qëndron në Prishtinë nuk ka zbuluar nëse draft-statuti për Asociacionin është hartuar nga Kosova apo Bashkimi Evropian, mirëpo ka theksuar se ai draft ekziston, por po fshihet.

“Pozicionimi ynë është se marrëveshja duhet të realizohet menjëherë. Për Kosovën, zgjedhja e vetme është asociacioni. Nuk mund të injorohet asociacioni, është në marrëveshjen e Brukselit, marrëveshjen e Ohrit, dhe në përfundimet e nxjerra nga Bashkimi Evropian. Andaj, do të ndodhë, por pyetja është se me kë, dhe sa duhet të presim”, tha Escobar.

Emisari amerikan tha se në çdo takim të mundur me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi, ata fokusohen vetëm te Serbia.

“Ne e dimë se si duhet të duket asociacioni, dhe e dimë se si nuk duhet të duket. Ne thjesht duhet të fillojmë tani, mund të kemi një statut brenda një dite, po deshëm një gjë të tillë. Kjo është ajo që duam, që ta përcaktoni veten në këtë mënyrë. Dhe sa herë që kemi biseduar me këtë kryeministër dhe me zëvendësin e tij, e tëra për çka ata duan të flasin është Serbia. Ne duam të flasim për integrim më të madh”.

Escobar tha se Asociacioni ia heq kontrollin Serbisë nga veriu, për ta futur nën kontrollin e Kosovës.

“Kjo është arsyeja pse na duhet Asociacioni. Nga perspektiva ime Asociacioni është për ta hequr kontrollin e Serbisë nga Veriu dhe për ta futur nën kontrollin e Kosovës, të Kushtetutës suaj dhe të strukturës tuaj legale, nuk shoh arsye pse dikush duhet ta shohë ndryshe këtë”, ka thënë Escobar.

Si për t’ia dhënë ‘goditjen e fundit’ kryeministrit Kurti, emisari Gabriel Escobar tha se nuk është Kosova ajo që po refuzon të koordinohet me SHBA-të, por është kryeministri Kurti.

“Për Kosovën, do të përçojë mesazh të fuqishëm se Kosova nuk është e interesuar të koordinohet me ne. Mendoj se kjo do të ishte fatkeqe. Dhe dua të them jo Kosova, por kryeministri. Dua ta bëj shumë të qartë, se ne nuk konsiderojmë se kjo do të ketë ndikim në marrëdhënien afatgjatë, por veprimet që ndërmerren apo nuk ndërmerren mund të kenë disa pasoja që do të ndikojnë pjesë të marrëdhënies. Nuk dua që të arrihet në këtë pikë”, theksoi emisari amerikan.

Shpërndaje në: