Testimi i alarmit ose testimi i rrugëve njëkahëshe: Pse Prishtina sot nuk ofron diçka tjetër për të rinjtë?

Testimi i alarmit ose testimi i rrugëve njëkahëshe: Pse Prishtina sot nuk ofron diçka tjetër për të rinjtë?

Prishtinës së viteve të fundit – e sidomos e vitit të fundit – i ka rënë një zymtësi që nuk ngjason me kryeqytet (Kuptohet, këtu nuk po e llogarisim kohën e pandemisë). Ajo çka ndodhë në qytetin e parë të Kosovës, që i shohim si ngjarje, janë testimi i alarmit dhe testimi i rrugëve njëkahëshe.

Një mesazh (që në gjuhën e Facebook njihet si ‘status) ironizues i Ilir Mirenës, për krahasimin e një dite se çka ofroi Tirana e çka Prishtina për 24 orë, na shtyri ta zgjerojmë këtë temë, pakëz më tutje:

Mirena shkroi kështu, mëngjesin e sotëm:

“Brenda javes ne Tirane pati dy ngjarje spektakulare, koncerti i DJ te njohur Solomun ne Sheshin Skenderbeu dhe mbreme finalja ne Air Albania mes Romes dhe Feyenoord…

Por, edhe ne Prishtine, ne Qendren e Studenteve, mbreme eshte mbajtur nje koncert, po ashtu spektakular, me Robert Berishen…?”

***

Duke qenë vend i vogël, si Prishtina ashtu edhe Kosova, bisedat me shoqërinë nëpër kafene të kryeqytetit, ose në vendet tona të punës, ta japin një pasqyrë mbi të cilën mund të vlerësosh dhe mund të konstatosh diçka. Pra, nuk ke nevojë të bësh ku me ditë se çfarë studimi, që të vish në përfundimin se në Prishtinë, njeri s’ka çka bën të shtunave dhe të dielave (njeri që ka pushim).

(Foto: Pamje interesante nga Prishtina. Periskopi) 

Kjo duket të jetë arsyeja e mësymjes së të rinjve kosovarë pse jo edhe të vjetërve, që fundjavat t’i kalojnë në Tiranë, Shkup, Ulqin a ndonjë vend tjetër përtej rajonit, nëse kanë viza dhe – kuptohet – pare.

Në dy fundjavat e kaluara, një kolege e jona që quhet Vjosë, vizitoi dy kryeqendra të Evropës: njëra quhet Romë, tjetra Vjenë.

(Foto: Pamje interesante nga Prishtina, Periskopi) 

Kur e pyetëm se si po ia del (përveç vizës, pyetja jonë nënkuptonte aspektin financiar) duke qenë se ndoshta disa me vite e ndoshta dikush kurrë s’ka qenë jashtë vendeve të rajonit (shkaku i vizave), përgjigja e saj ishte pak a shumë kështu: ‘…sepse, më lirë po ma qet n’Romë sesa në Prishtinë, një fundjavë’.

Në fillim, nuk i besuam gojës së Vjosës, e as veshëve tonë se çka po dëgjonim.

Por, a ka diçka të vërtetë në këtë tregim?

Duket se po. Meqë Vjosa na tha po, i besuam.

***

Ta zëmë se s’po i besojmë aq Vjosës (për të cilën, lutemi të mos e lexojë këtë rresht, meqë e kemi kolege dhe zakonisht i besojmë), në çka bazohemi tjetër?

Tjetra është se Prishtina nuk ofron diçka interesante, që prej muajsh, javësh e vitesh për të rinjtë.

Pak ngjarje, ose asnjë ngjarje.

Lajmet që i lexojmë si paralajmërime për ngjarjet në Prishtinë janë këto: testohet alarmi nesër në Prishtinë ose testohet rruga njëkahëshe në Prishtinë. Asnjëra nga këto, nuk përjashtohen për rëndësinë në funksionimin infrastrukturor a logjistik të kryeqytetit, por nuk janë ‘Prishtinë e përjetimeve’.

E, pastaj?

Pastaj çmimet nëpër kafenetë dhe restorantet e kryeqytetit, janë rritur jashtëzakonisht shumë. Ato janë në disproporcion me çka do në këtë vend (këtu e kemi fjalën pak më shumë për rrogat e këto…). Duke mos paragjykuar nevojën e kulinaristëve e gastronomëve tonë, hej, a ia vlen nëse mos e bëftë zoti – ke dëshirë ta shijosh një biftek në Prishtinë, 18 euro për një copë?

Për neve, moshat pak më të reja – por shumë të mesme për kah të hollat që jetojmë në Prishtinë, përfundimisht jo.

Prandaj, mungesa e organizimeve kulturore, artistike e këso termash të tjera që kanë lidhje me zbavitjen, na shtyen që adresë të na mbeten kryeqytetet ose qytetet e rajonit./D.Demaku/Periskopi 

P.S. Kjo nuk është thirrje për ta lëshuar Prishtinën.

P.S.2 Kjo nuk është thirrje për ta injoruar Prishtinën.

P.S.3 Kjo nuk është thirrje për të mos e dashur Prishtinën.

P.S.4: Teksti është shkruar në bazë të dy-tri përjetimeve.

 

Shpërndaje në: