Tetë raste të dhunës në familje për 24 orë

Tetë raste të dhunës në familje për 24 orë

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar tetë raste dhunës.

Kjo është bërë e ditur në raportin 24 orësh të policisë.

Rastet janë në Prishtinë, Graqanicë, Podujevë, Gjilan, Prizren, Pejë dhe Gjakovë.

Detajet nga raporti:

Prishtinë – Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ka sulmuar fizikisht viktimën femër shtetase e Rumanisë, me të cilën bashkëjetonte. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Graqanicë – Janë arrestuar dy të dyshuar, një femër dhe një mashkull shtetas të Serbisë, pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje verbale që kishin pasur, janë përleshur fizikisht në mes veti. Si pasojë e përleshjes të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore, atyre u është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Podujevë – Viktima femër kosovare ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.

Gjilan – Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Prizren – I dyshuari mashkull  kosovar, me të meta psikike, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktimës dhe të dyshuarit u është ofruar ndihma mjekësore. Me urdhër të prokurorit kujdestar dhe në konsultim me psikiatrin, i dyshuari dërgohet në klinikën e forenzikës psikiatrike.

Pejë – Viktima femër kosovare ka njoftuar se edhe pse ishin ndarë me marrëveshje me bashkëshortin e saj-të dyshuarin mashkull kosovar prapë i njëjti ka shkuar në lokacionin e viktimës dhe e ka kanosur me sms. I dyshuari me datë 07.01.2022 është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Pejë – Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar pasi që kishte ushtruar dhunë psikike duke përdorur fjalë fyese ndaj bashkëshortes së tij. Viktima është dërguar në strehimore së bashku me një fëmijë të moshës dy vjeçare. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Gjakovë – Janë arrestuar tre te dyshuar meshkuj kosovar pasi që njëri prej të dyshuarve kishte sulmuar vëllain e tij dhe më pas kishte ndërhyrë edhe prindi i tyre pasi që i dyshuari kishte tentuar që ta lëndojë veten me një thikë të kuzhinës.  Te dyshuarit i është dhënë ndihmë mjekësore pasi që i njëjti ishte përdorues i substancave narkotike. Me vendim të prokurorit njëri prej te dyshuarve është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit tjerë janë liruar në procedurë të rregull.

Shpërndaje në: