Tetë raste të reja me HIV/AIDS në Kosovë gjatë vitit 2021

Tetë raste të reja me HIV/AIDS në Kosovë gjatë vitit 2021

Murat Mehmeti, infektolog në Klinikën Infektive të QKUK-së ka thënë se gjatë vitit 2021, në Kosovë janë identifikuar 8 raste të reja me HIV AIDS.

Mehmeti ka thënë në “DESKU” të KTV-së se Kosova identifikohet si vend me prevalencë të ulët të HIV virusit.

“AIDS në Kosovë nuk kisha me thanë se është i përhapur shumë. Prej vitit 1986 nga rasti i parë i identifikuar në Kosovë e deri tani, sipas statistikave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHPK) gjithsej janë në evidencë 139 raste ndërkohë që sivjet, gjatë këtij viti janë identifikuar 8 raste të reja. Kosova identifikohet si vend me prevalencë të ulët të HIV virusit. Këto raste që i kemi nën mbikëqyrjen tonë vazhdojmë t’i trajtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, Klinika Infektive disponon me terapi të mjaftueshme për të trajtuar të prekurit me HIV, e cila është falas.

“Në Klinikën Infektive deri para pandemisë kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi Qendrën për Këshillim dhe Testim vullnetar, i cili testim është kryer pa pagesë, një test i shpejtë i cili ka dhënë rezultat por më pak se 10-15 min. Gjatë pandemisë është ndërprerë procesi i testimit të personave të dyshuar, dhe tani që kemi një situatë më të qetë të pandemisë, pritet që të funksionalizohet kjo qendër”, ka thënë Mehmeti.

1 dhjetori është Dita Botërore kundër HIV/AIDS. E vendosur në vitin 1988, Dita Botërore kundër Sidës është një rast për të përkujtuar njerëzit që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje. Ky është gjithashtu një rast që bota të vlerësojë përpjekjet e tanishme për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV i cili shkakton Sidën dhe për t’u ri-angazhuar në luftën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi.

Shpërndaje në: