”Tha e kam një shtrëngim, po i frikësohem shkallëve të Ministrisë” – Flet motra e Burbuqe Berishës

Periskopi.com Lajme

Kolegji AAB ka organizuar mbledhje komemorative për nder të regjisores Burbuqe Berisha, e cila vdiq dje në objektin e Ministrisë së Kulturës në moshën 51 vjeçare.

Përveç kolegëve të shumtë të cilët e kujtuan të ndjerën, me shumë emocion foli edhe motra e saj, Trëndelina.

Ajo tha se Buqja kohëve të fundit i frikësohej shkallëve të Ministrisë së Kulturës, për shkak të problemeve shëndetësore, dialzës të cilën e bënte tri herë në javë.

“Nuk mund ta përshkruaj kontributin e madh ndaj familjes. Kemi mbetur shumë të ri pa prind dhe ajo ka qenë përkrahja jonë kryesore. Na ka mbështetur, është kujdesur për neve, nuk po mund ta paramendoj që nuk është më. Nuk e kemi një përkrahëse të fortë si ajo. Jam e lumtur që e kisha motër dhe ndihem shumë krenare për ato që ka bërë për neve si familje dhe vendin tonë. Dua të falënderoj të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë nga momenti që ajo ka rënë në dializë, dhe momentet e para duke e ditur natyrën e Buqës, në asnjë moment nuk është dorëzuar”.

“Nuk është ndalur në asnjë moment, ka qenë shumë e papritur për ne, ka punuar më shumë se unë, më gjatë se unë edhe pse tri herë në javë shkonte në dializë. E ka cekur që atyre shkallëve të Ministrisë iu ka frikësuar, para dy javëve kemi diskutuar dhe unë nuk e mora shumë seriozisht se mirë ka qenë, tha e kam një shtrëngim, po kam frikë atyre shkallëve po mbes aty. Pasi që gjithmonë ka qenë nën kontroll të mjekëve. I thash hajt se edhe kjo tejkalohet. Dje kam hyrë në shkallë e kam parë, në shkallë të Ministrisë, thash eh kjo e paska ditur ku do ta ketë fundin, atyre shkallëve iu frikësua dhe mbeti në ato shkallë”, tha ajo.

Burbuqe Berisha varroset sot në orën 15:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.