Tha se është e sëmurë me kancer, profilja e rreme mashtroi deputetë e figura tjera publike në Kosovë

Tha se është e sëmurë me kancer, profilja e rreme mashtroi deputetë e figura tjera publike në Kosovë

Çdo ditë e më shumë, Kosova po përballet me fenomenin e profileve të rreme, shumë prej të cilëve madje kanë edhe agjenda të dyshimta partiake. Por, për një rast specifik një lexues i ka rrëfyer Periskopit se si e ka shtruar mashtrimin në nivele të pabesueshme.

Se shumë e shumë prej nesh jemi naivë në ndërveprimet tona në rrjetet sociale, kjo nuk do shumë mend.

Por megjithatë, në epokën kur sjellja inautentike online është e dënueshme rëndë, Kosova vazhdon të jetë si një parajsë “profilesh të rreme”.

Në këtë mes, emri i Anita S. Bajramit është një shembull i pabesueshëm i këtij veprimi mashtrues, përcjell Periskopi.

Ajo mban një emër dhe një mbiemër shqiptar, e për më tepër ka vënë edhe një shkronjë që të duket se është emri i babait, por në fakt është profil i rremë.

Të gjitha fotografitë e ndara prej saj i takojnë aktores suedeze me prejardhje nga Irani me emrin Maryam Yakaria.

Sidoqoftë, edhe pse profil i rremë, ajo ka arritur që të bëj shoqëri me shumë e shumë figura të ndryshme publike në Kosovë, përfshirë deputetë, analistë e të tjera. Këta të fundit duket se janë miqësuar me të pa qenë fare të vetëdijshëm për faktin se ajo është profil i rremë.

Por, së fundi ky profil i rremë me fotografi të Maryam Zakarias ka nisur të postojë edhe gjëra shqetësuese

“Pas një periudhe të gjatë në spital, rezultova me kancer. Falë ndihmës së mjekëve u operova dhe pata sukses herën e parë. Uroj dhe shpresoj të kalojë edhe këtë sfidë në jetë. Ju dua pafund të gjithë ata që më mbështetën në këtë kohë,” – shkroi ajo më 25 maj, duke marrë edhe vëmendje të madhe nga shumë qytetarë.

Po ashtu, ajo mashtronte qytetarë edhe për nënën e saj, e cila në fakt ishte nëna e aktores suedeze Zakaria, duke shprehur dhimbjen për gjoja vdekjen e saj.

Nuk dihet nëse profili Anita S. Bajrami ka mashtruar privatisht ndonjë qytetar ose nëse ka pasur qëllime të tjera përfitimi me postimet në fjalë.

 

 

 

Shpërndaje në: