Thelbi i raporteve Kosovë-Serbi

Blerim Shala Op-Ed

Kurrë nuk duhet lejuar mjegullimin e tabllos së qartë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, kush ka qenë këtu okupator e kush i robëruar, kush ka bë luftë mbrojtëse e kush ka të agresorit, kush ishte në anën e drejtë të historisë e kush në anën e gabuar.

Në mes-vitet e nëntëdhjeta  (të shekullit të kaluar), kur Lëvizja politike paqësore për pavarësinë e Kosovës kishte nisë t’i tregojë limitet e saja, të cilat mbase ishin të pashmangshme kur dihej se me kë kishim punë si shqiptarë të Kosovës, Presidenti Rugova, në përpjekje për të ruajtur disi atë ‘Durimin Strategjik’ të popullit të Kosovës  (teksa asokohe e kemi aplikuar dhe nuk kemi ditur fort se çka është ‘Strategic Patience’, apo ky ‘Durimi Strategjik’, në politikë dhe në diplomaci), pati nisur të flasë për një ‘Maratonë historike dhe politike’.

Lufta politike pra për çlirimin dhe krijimin e shtetit, pohonte asokohe Dr.Rugova, do të mund të zgjasë më shumë se sa që kemi pritur dhe kemi kujtuar ne, por caku do të mbërrihet në fund, nëse ne, si popull dhe si organizim politik do ta ruajmë durimin, teksa investimin kryesor diplomatik e bënim në drejtim të SHBA-së, prej nga edhe pritej intervenimi politik dhe diplomatik për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Në vitet që pasuan, prej të gjithë neve, u kuptua që rrjedhat historike në dobi të çlirimit të Kosovës do të jenë më të shpejta se sa që llogaritej në ato vitet 1994, 1995.

Përshpejtuesi i tyre do të shfaqej në formë të luftës, të cilën Lëvizja paqësore u mundua ta shmangë, apo së paku, ta shtyjë për vitet kur do të ishim paksa më të përgatitur për te, dhe kur ato luftërat në hapësirat e tjera të ish-RSFJ-së, do të kishin përfunduar  (gjë që do të ndodhë në Konferencën e Daytonit, në nëntorin e vitit 1995).

Kështu edhe do të ndodhë.

Lufta në Kosovë mbërriti në kohën më të duhur (po të kishte ardhur më herët apo më vonë, asnjëherë nuk do të kishte pasur atë përfundimin e njohur për të gjithë ne), kur u kuptua, ndër ne, në vetë Serbinë, por edhe në Perëndim, që ajo është epilog i pashmangshëm i një ngecjeje të plotë në adresimin dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e cila, për atë pushtetin e atëhershëm të Serbisë, as që ekzistonte si problem.

Pushteti i Serbisë thoshte në atë kohë që është e vërtetë që në Kosovë ka probleme, por Kosova si e tillë, nuk është problem, nuk është çështje.

Lufta pra doli si mjeti i fundit  (final), dhe i domosdoshëm, i vetmi i mbetur, për ta definuar se çka do të bëhet me Kosovën, apo kush do të dalë fitues në këtë dyluftimin politik: Populli i Kosovës apo shteti i Serbisë, i cili atëbotë kishte atë mbi-emrin e RFJ-së.

Përndryshe, ne kemi luftuar, si një popull, me një shtet, e jo me një pushtet dhe një regjim të tij.

Sikur gjithçka që kishte të bënte asokohe me Kosovën dhe që ndodhte në Kosovë, do të ishte e lidhur, siç interpretohet gabimisht, më pak ndër ne e më shumë në Perëndim, me një emër dhe mbiemër të një politikani  (çfarë ishte ai i Slobodan Miloševićit), dhe me një pushtet të atëhershëm në Serbi, atëherë, ndërrimi i tij apo shkuarja e Miloševićit prej pushtetit, do të sillte atë ndryshimin dramatik rë raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, veçmas kur dihet që tashmë Kosova ishte çliruar, dhe këndejpari ishin dhjetëra mijëra ushtarë të KFOR-it  (apo të Misionit të Aleancës Veri-Atlantike), dhe poashtu këtu ishte një Mision ndërkombëtar i UNMIK-ut.

Pra, po të ishte ndryshe, apo, sikur gjithçka në këtë marrëdhënie në mes të Kosovës dhe Serbisë të ishte reflektim i një pushteti a regjimi në Serbi që objektivisht, ishte përgjegjës për të gjitha luftërat e bëra në hapësirat e ish-Jugosllavisë, në atë harkun kohor prej vitit 1991 deri në vitin 1999, atëherë, pa kurfarë dyshimi, menjëherë pas atij ’Revolucionit demokratik’ në Serbi  (në tetorin e vitit 2000), do të hapej një kapitull i ri në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo nuk ndodhi atëherë. Kjo madje, nuk u shënua as në ato vitet e Procesit të Vienës, kur nën udhëheqjen e Presidentit Ahtisaari, u negociua statusi i ardhshëm i Kosovës dhe i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Midis nesh dhe Serbisë, nuk ishte vetëm një humnerë e mbushur me varreza masive të shkaktuara gjatë viteve të luftës së fundit, nuk ishte vetëm edhe historia e rëndë, gati një shekullore e tragjedive të njëpasnjëshme në Kosovë të cilat ishin kryekëput rezultat i atij okupimi të egër të Kosovës nga Serbia, por ishte edhe ai fabrikimi i madh i historisë në Kosovë dhe rreth saj, që ishte në themelet e formimit të shtetit bashkëkohor të Serbisë prej fillimit të Shekullit XIX e tutje.

Pra, do të kuptohej më pas, dhe ky mësim është në fuqi edhe sot e kësaj dite, që raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo midis shqiptarëve dhe serbëve si popuj, janë shumë më të rënduara dhe më të ndërlikuara se ato që kanë të bëjnë me një ndërrim të pushtetit në Beograd, apo të largimit të një lideri që një kohë ishte i pakontestuar në Serbi  (Slobodan Miloševićit), dhe të ardhjes së një politikani tjetër  (Zoran Đinđićit) i cili synonte ta transformonte Serbinë në një shtet evropian dhe pro-perëndimor.

Këto marrëdhënie janë të tilla, pa kurfarë faji apo përgjegjësie të shqiptarëve të Kosovës. Këtë duhet përsëritur pandërprerë.

Asnjëherë nuk duhet lejuar mjegullimin e kësaj tablloje të qartë të këtyre raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, kush ka qenë këtu okupator e kush i robëruar, kush ka bë luftë mbrojtëse e kush ka bë luftë të agresorit, kush ka qenë në anën e drejtë të historisë e kush në anën e gabuar.

Nuk mund të ketë ndryshim dhe ri-definim të këtij interpretimi të historisë së re të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kontekst dhe në përfillje të plotë të këtij shpjegimi të historisë së këtyre raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, edhe dialogu midis përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, i cili ri-nisi këto ditë, nuk mund të ketë një tjetër epilog pas atij që do t’i shkojë në fund përmbylljes së kësaj historie të rëndë dhe tragjike, dhe njohjes së realitetit të krijuar në Kosovë dhe të konfirmuar nderkombëtarisht, në vitin 1999  (me çlirimin e Kosovës), në vitin 2008 (me pavarësimin e Kosovës), dhe në vitin 2010  (me konfirmimin e pavarësisë nga ana e ICJ-së, apo Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë).

Shpërndaje në: