Thellohen përçarjet brenda koalicionit qeverisës
E për derisa në PDK, thonë se ka shumë arsye për të cilat nuk po pajtohen me buxhetin e vitit të ardhshëm, nga LDK-ja thonë se s’ka asnjë arsye për të mos e përkrahur këtë buxhet.
Shukri Buja, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, tha për “Gazeta Blic” se përkundër mospajtimeve që kanë me buxhetin e vitit të ardhshëm, ata janë duke punuar në atë drejtim që t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre me ato të LDK-së.
“Jemi duke u konsultuar dhe kemi kërkesa që të ketë edhe konsultim shtesë pasi që nuk jemi duke u pajtuar rreth këtij projeksioni buxhetor, por shpresoj që do t’i harmonizojmë shumë shpejt qëndrimet tona”, tha Buja për “Gazeta Blic”
Sipas këtij deputeti nga PDK-ja, arsyet janë të shumta pse nuk duhet të miratohet ky buxhet, por ai thotë se kanë angazhuar njerëz të partisë që të konsultohen me njerëz të LDK-së, në mënyrë që të harmonizohen qëndrimet.
“Ka shumë arsye pse nuk jemi duke u pajtuar me këtë buxhet, tash janë në konsultime njerëzit që janë ngarkuar nga partia demokratike me njerëzit e koalicioni qeverisës që të harmonizohen qëndrimet”, ka thënë Buja, duke mos dhënë më shumë detaje në lidhje me arsyet e mospajtimit.
Më tej, Buja theksoi se janë duke e pritur një sinjal nga kreu i PDK-së, Kadri Veseli që t’i harmonizojnë qëndrimet karshi kësaj çështjeje.
“Po presim sinjalin nga shefi i partisë që t’i harmonizojmë qëndrimet që më pas me ecë tutje”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, Adem Salihaj deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, mohoi për “Gazeta Blic” se ka arsye për të mos u përkrahur buxheti i vitit të ardhshëm.
“Buxheti i vitit 2017 është hartuar mirë dhe është buxhet shumë mi madh se sa ai i vitit 2016. Pra askush nuk ka arsye që të mos e përkrah këtë buxhet”, tha ai.
Sipas Salihajt, nëse PDK-ja nuk e përkrah këtë buxhet është vetëm për shkak se nuk kanë arritur që ta orientojnë andej kah mund ta keqpërdorin. Përveç kësaj ky deputet përmendi edhe një arsye tjetër për çka PDK-ja mund të mos pajtohet me buxhetin e vitit 2017.
“Nëse PDK nuk e përkrah këtë buxhet është vetëm për shkak se nuk kanë arritur ta orientojnë andej kah mund ta keqpërdorin,siç e kanë keqpërdorur deri më tash. Ose mund të jetë arsyeja se nëse nuk aprovohet buxheti,do të shkohet në zgjedhje,sepse do të bie qeveria dhe ky mund të jetë synim i PDK-së”, është shprehur Salihaj.
Ndryshe, mospajtimet e PDK-së dhe LDK-së, në lidhje me buxhetin e vitit të ardhshëm sipas vëzhguesve të zhvillimeve politike në vend, po shihen si një mundësi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, gjë për të cilat kanë shprehur gatishmëri të gjitha subjektet politike në vend.



