Thellohet skandali me gazpërçuesin

Thellohet skandali me gazpërçuesin

Derisa Kosova ka pranuar miliona dollarë donacione nga Amerika për armatim dhe automjete ushtarake dhe konsideron ndihmën Amerikane për adresimin e krizës në veri si të pazëvendësueshme, Qeveria Kurti si duket nuk e ka ndër mend të aprovon projektet amerikane për ndërtimin e gazpërçuesit që rekomandohet nga vetë Qeveria amerikane. Metro mëson se vlera totale e investimeve që humben përgjithmonë është 600 milionë euro ndërsa së fundmi Metro mëson se Kurti ka kërkuar takim urgjent me opozitën për të adresuar gazpërçuesin

Gazeta Metro mëson ekskluzivisht se Qeveria e Kosovës ka refuzuar të përmbush të gjitha kushtet nga Qeveria amerikane që do kompletonin përgatitjet për nisjen e prokurimeve për gazpërçuesin që vitin e ardhshëm. Për më shumë, derisa fillimisht publiku kosovar është informuar për 200 milion grant të pakthyeshëm që është ofruar nga MCC, Metro poashtu mëson se vlera totale e investimeve që Kosova rrezikon t’i humbë përgjithmonë është mbi 600 milionë euro: 200 milion janë ndarë tashmë edhe zyrtarisht nga Administrata Biden kryesisht për projektin e gazpërçuesit dhe një termocentrali me gaz; 90 milionë euro janë ofruar si kredi e butë nga bankat zhvillimore europiane, ndërsa 25 milionë janë ofruar si grant i pakthyeshëm nga burimet europiane.

Pas presionin dhe pakënaqësive amerikane që ja kanë drejtuar privatisht Kurtit, Kryeministri tani ka thirrë të gjithë krerët e opozitës për një takim nesër për një “strategji të përbashkët”.

Poashtu, sipas planeve të MCC, varësisht nga madhësia e termocentralit me gaz, janë planifikuar edhe minimum 300 milion investime nga investitorë amerikanë ose europiane në ndërtimin e një termocentrali me gaz, që do të reduktonte dramatikisht nivelin e ajrit të ndotur në Kosovë.

Sipas një burimi në Qeverinë e Kosovës, pohimet e ministrave të Kosovës se ënde nuk dihet kostoja e investimeve” siç pohoi MInistrja e Ekonomisë Rizvanolli, apo se ky gaz mund të ketë prejardhje ruse, siç deklaroi ditë më parë zëvendëskryeministri Bislimi, janë “thjeshtë të pavërteta”.

Sipas një dokumenti që ka parë Gazeta Metro e që është dokument konfidencial i diskutuar në mes Qeverisë së Kosoëvs dhe qeverisë amerikane, Kosova është dashur të plotëson gjashtë kushte për të përfituar nga ky investim i jashtëzakonshëm prej 600 milionë eurosh. Këto kushte janë konfirmuar edhe nga ish Kryeministri Hoti. Ai në një prononcim në rrjetin social Facebook javën e kaluar konfirmoi se “në Qeverinë Mustafa të viteve 2014-2017 janë plotësuar kushtet që Kosova të bëhet pjesë e MCC-së. Dhe ka disa vite që MCC, bashkë me institucionet e Kosovës, ka bërë studimet e nevojshme për diversifikimin e resurseve energjetike, përfshirë edhe furnizimin me gaz”, ka shkruar Hoti në Facebook. Ai kritikoi qasjen e Qeverisë Kurti duke thënë se: “As në Qeverinë Mustafa dhe as në Qeverinë time nuk kemi pasur asnjëherë dilema për bashkëpunimin me SHBA”.

Cilat janë kushtet që ka kërkuar MCC për sigurimin e 600 milionë euro investime, përfshi grante të pakthyeshme prej 200 milionë dollarë nga tatim-paguesit amerikanë? Sipas dokumentit konfidencial, Bordi i MCC që më 2017 ka aprovuar grantin e gazpërçuesit. Më 2018, Qeveria e Kosovës është dashur të aprovon projektet, në bazë të cilave MCC ka financuar që nga 2018 studimet e para-fizibilitetit, Më 2019, Bordi i MCC që është udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka rizgjedhur Kosovën për fonde dhe Qeveria Hoti ka aprovuar këto dy projekte si finale:

1. Zhvillimi i Sektorit të Gazit

2. Rezervat e rrymës për balancimin e sistemit energjetik si dhe një projekt më të vogël për përforcimin e aftësive dhe përfshirjen e grave në sektorin energjetik.

Vitin e kaluar, sipas këtij dokumenti kanë filluar “konsultimet intensive” me qeverinë e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtare.

Sipas dokumentit ekskluziv intern të dakorduar nga Qeveria Hoti dhe MCC të vitit 2020, kushtet që Qeveria e Kosovës ka dështuar ti përmbush, duke dërguar tërë paketin 600 milionësh drejt dështimit janë: 1) Mosinvestimi në TC Kosova A 2) Aprovimi i strategjisë së Gazit në Qeveri 3) Aprovimi i kredisë së BERZH prej 90 milionë euro 4) Mbarëvajtja e negociatave me Greqinë dhe Maqedoninë për gazpërçues 5) Nënshkrimi me MCC 1 grantin 200 milionë gjatë 2021 ose fillim 2022. Sipas burimit nga Qeveria e Kosoves te përfshirë ne negociata, tashme është i vërejtshëm dëshpërimi amerikan me sjelljen e qeverise Kurti dhe Presidentes Osmani dhe pritet që Kosovës ti shkurtohen dramatikisht këto fonde.

Shpërndaje në: