Thirrja dëshpëruese e tifozit afgan të Messit; historia e tij tragjike do t’iu përlotë

Thirrja dëshpëruese e tifozit afgan të Messit; historia e tij tragjike do t’iu përlotë

Djaloshi afgan, Murtaza Ahmadi, na kujtohet nga viti 2016 kur u bë i famshëm për veshjen e një qeseje plastike me emrin dhe numrin e ikonës së futbollit, Lionel Messi. Ai tani po jeton i fshehur në Kabul, me familjen e tij, në kohën kur talebanët morën kontrollin e Afganistanit.

Murtaza tani është 10 vjeçar dhe po qëndron në një vend të pasigurt nën kërcënime të vazhdueshme. Ai është zhvendosur nga fshati i tij i lindjes në Jaghori, duke kaluar në Ghazni, ku po jeton së fundmi.

“Jam i bllokuar në shtëpi dhe nuk mund të dal jashtë sepse kam shumë frikë nga talebanët. Ju lutem më shpëtoni nga kjo situatë. Më lini që të shkoj në një vend të sigurt. Unë dua të luaj futboll dhe ta bëj në një vend ku ka paqe”, tha djaloshi i famshëm për agjencinë e lajmeve EFE, përcjell Periskopi.

Për më tepër, Murtaza i përket komunitetit të persekutuar Hazara, i cili shpesh është vënë në shënjestër nga Provinca Khorosan e Shtetit Islamik. Grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse nëpër palestra, institucione arsimore dhe fetare, madje edhe në transportin publik, duke shkaktuar qindra viktima civile.

Murtaza u bë një objektiv për grupet konservatore dhe madje edhe rrëmbyesit, pasi mori një fanellë futbolli të nënshkruar nga Messi, më pas udhëtoi për në Katar ku u takua me idhullin e tij në vitin 2016, gjë që krijoi zëra tek të afërmit se Messi i kishte dhënë djalit shumë para.

Familjarët e tij kanë pranuar vazhdimisht kërcënime dhe kanë obliguar ata të ndryshojnë vendbanimin gati çdo vit, përcjell Periskopi.

Familja Ahmadi kishte ikur në Pakistan në maj të vitit 2016 me shpresën për të marrë azil në ShBA. Sidoqoftë, kërkesa e tyre për azil u refuzua dhe ata u detyruan të ktheheshin në fshatin e tyre, për t’u zhvendosur në mënyrë të përsëritur. Ata tani po pëpiqen të largohen nga vendi edhe një herë, por nuk kanë qenë të suksesshëm deri më tani. /Periskopi/

Shpërndaje në: