T’i kthejmë pranverën “Pranverës Arabe”

T’i kthejmë pranverën “Pranverës Arabe”

Një tjetër vit, një tjetër dekadë dhe një tjetër raund lajmesh të këqija në Lindjen e Mesme. Titujt e parë të gazetave të javës së kaluar nuk mund të “sterronin” më shumë. Vdekje në burgjet egjiptiane, përleshje në Sudan, përkeqësim i krizave humanitare në Jemen dhe Siri, zgjerim i paligjshëm i kolonive izraelite në Palestinë, paralizë politike në Tunizi, dështim i bisedimeve për armëpushimin libian, e në fund, si për t`i vënë kapakun, konflikti amerikano-iranian në Irak e rrëzimi i avionit civil ukrainas me 176 persona në bord.

Dhe, lista vazhdon…

Situata ka qenë kaq e rëndë për kaq shumë kohë, sa po e mjegullon linjën edhe kështu të hollë mes realizmit dhe fatalizmit në rajon. Shtypja, dhuna, sektarizmi, pabarazia, pasiguria dhe lufta janë kaq të përhapura, kaq këmbëngulëse, saqë çdo optimizëm është i sigurt se do t`i lëshojë rrugën pesimizmit.

Në të vërtetë, që nga fillimi i Pranverës Arabe nëntë vjet më parë, stinët kanë ndryshuar në mënyrë dramatike, duke venitur edhe atë pak optimizëm të çmuar që çoi peshë kryengritjet popullore në ditët e tyre të para. Shumë arabë sot kanë mbërritur të besojnë se lajmi i mirë është gjithmonë i mbarsur me lajmë të këqija, dhe se sukseset, bartin në vetvete farat e dështimit. Në këtë mënyrë, edhe ato revolucione që arritën të “çmontonin” diktaturat u lanë me barrën e së shkuarës që përndjek të ardhmen e tyre.

Kjo mund të shpjegojë skepticizmin ndaj valës së re të trazirave popullore që u përhapën gjatë vitit të kaluar nga Sudani e Algjeria, deri në Irak e Liban, dhe më tej, në Iran. Por, një skepticizëm i tillë nuk duhet të errësojë ndjeshmërinë, maturinë e madhështinë e kryengritjeve të reja.

Valët e protestave në këto vende po ecin në gjurmët e lëvizjeve popullore në Tunizi dhe Egjipt, duke përqafuar paqen, origjinalitetin dhe reformën e duke refuzuar dhunën dhe konfliktin civil si mjet për të përballur regjimet shtypëse dhe korruptive.

Ata duket se I kanë nxënë mësimet e vështira nga Siria, Libia, Jemeni dhe Iraku, sepse nuk i pranojnë luftërat me palë të treta dhe ndërhyrjet e huaja ushtarake, që sjellin, siç thuhet siguri e demokraci, por prodhojnë kaos dhe shkatërrim. Kryengritjet e reja insistojnë në reforma demokratike pa sektarizëm, fondamentalizëm dhe autoritarizëm, duke refuzuar zhvendosjen e pakuptimtë nga një formë e autoritarizmit në një tjetër.

Këto mësime mund të mos garantojnë sukses, por janë të domosdoshme për të arritur sadopak përparim politik. Ato po i vendosin tashmë regjimet arabe në mbrojtje, duke detyruar liderët të japin dorëheqjen, duke ushtruar presion mbi parlamentet për reforma e duke vendosur precedentë të rinj për ndryshime paqësore.

Procese të tilla, edhe pse të ngadalta e të vështira, janë thelbësore që reformat të jenë vërtet demokratike. Në dallim nga ato totalitare, revolucionet demokratike janë të një natyre evolutive dhe marrin shumë më tepër kohë për të ndryshuar kulturën politike e transformuar shoqërinë. Por kjo është mënyra e vetme për t’u përgatitur për biznesin shterues të qeverisjes demokratike.

Ndaj për të gjithë të zhgënjyerit me Pranverën Arabe, me dështimet e humbjet e panumërta , për të gjithë ata që nuk e pranuan kurrë atë si një “import” të Pranverës së Pragës të vitit 1968 ose Pranverës së Kombeve të 1848-tës, unë them: përpiquni ta shihni këtë pranverë jo si ekuivalent të lëvizjes ceke apo asaj europiane, as si një ngjarje me një fillim dhe një fund, por më tepër si shpresë duke mposhtur dëshpërimin, si guxim për të kapërcyer frikën dhe si ndryshim që vjen me premtimin e një të ardhmeje më të mirë. E kështu, teksa hymë në këtë dekadë të re, le t`i kthejmë përsëri pranverën, Pranverës Arabe. /TCh/

Shpërndaje në: