A do t’i ndryshojnë listat e kandidatëve PS e LSI?
Marrëveshja Rama – Basha ka rihapur procesin e regjistrimit të partive në KQZ, bashkë me listat e kandidatëve për deputetë.
PS dhe LSI i kanë dorëzuar listat e kandidatëve të tyre. Por llogaritë i kanë bërë pa opozitën në zgjedhje. Për këtë arsye Edi Rama figuron numri 6 në listën e Vlorës dhe Gramoz Ruçi i nënti në Fier.
Në zgjedhje te vitit 2013, PS mori 9 deputetë në Fier. Në këto zgjedhje PS do të kandidojë e vetme dhe jo në koalicion, çka pritet t’i japë më pak vota dhe Ruçi rrezikon.
LSI mori dy deputetë në Fier në koalicion me PS dhe një mori partish të tjera të vogla, votat e të cilave u ndanë mes dy subjekteve të mëdha.
Në Vlorë PS mori 6 deputetë në 2013, por sërish në koalicion dhe Rama rrezikon duke u renditur i gjashti në listë.
Në marrëveshjen Rama – Meta është vendosur vetëm që të lejohet regjistrimi i partive të opozitës dhe i listave të kandidatëve të partive opozitare për deputetë, por jo edhe ai i listave të partive të mazhorancës.
Por edhe nëse PS nuk arrin të fusë drejpërdrejtë në kuvend kryetarin dhe numrin dy të saj, ajo e ka përvojën për t’i pasur ata të dy sërish deputetë.
Ashtu siç u bë në Lezhë për të futur Arben Ndokën deputet, mjafton që të japin dorëheqjen disa nga ata që do të zgjidhen deputetë. /Lapsi.al



