Tifozat Kuq e Zi – lojtarëve: Situata nuk do të ndryshojë deri sa ta kuptoni se jeni duke luajtur për Kombëtaren

Tifozat Kuq e Zi – lojtarëve: Situata nuk do të ndryshojë deri sa ta kuptoni se jeni duke luajtur për Kombëtaren

“Tifozat Kuq e Zi” kanë bërë të ditur se sërish do të jenë të pranishëm në çdo stadium ku luan Kombëtarja e Shqipërisë, siç thonë ata për “të mbrojtur nderin e flamurit dhe jo për t’i parë futbollistët”.

Pas ndeshjes së fundit të Shqipërisë për këtë edicion në Ligën e Kombeve, kundër Islandës (27 shtator), e cila përfundoi me rezultatin 1:1, “Tifozat Kuq e Zi” ishin tejet të zhgënjyer – shkruan Gazeta Express.

Derisa futbollistët e Shqipërisë po shkonin drejt tifozëve, këta të fundit filluan të fishkëllenin ndaj tyre – si shenjë pakënaqësie për rezultatin e asaj ndeshje, por edhe rezultateve tjera këtë edicion.

Tifogrupi i Kombëtares shqiptare përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”, ka bërë një tjetër reagim.

Ata po kërkojnë nga futbollistët që të luftojnë për ngjyrat “Kuq e Zi”.

Reagimi i plot nga “TKZ”

“Tifozat Kuq e Zi  kanë qenë, janë dhe do të jenë përgjithmonë ambasadorët e Shqipërisë!

Në shkallët e të gjitha stadiumeve ku luan Kombëtarja kemi qenë e do të jemi aty, jo për t’ju parë juve, por për të mbrojtur nderin e flamurit më të bukur në botë.

Për atë flamur do të jemi gjithmonë sepse e kemi detyrim.

Ne nuk duam të vraponi pas fitoreve, por duam t’ju shohim se si luftoni për ngjyrat Kuq e Zi.

Nuk duam ta shikoni Shqipërinë si një vend ku mund t’i tregoni cilësitë e juaja, por një vend ku thirrja është një mision, e fusha është betejë në të cilën duhet derdhur djersë e gjak!

Të gjithë do të shkojnë, ne do të mbetemi, reflektimi juaj tashmë mbetet për tu parë.

Situata nuk do të ndryshojë deri sa ta kuptoni se jeni duke luajtur për Kombëtaren, për Shqipërinë!

E mos harroni se, më të vlefshme se Shqipëria nuk ka asgjë!”.

Shpërndaje në: