Togeri i arrestuar në Gjilan kishte qenë në kazino

Togeri i arrestuar në Gjilan kishte qenë në kazino

Një toger policie nga rajoni i Gjilanit, mbrëmë ka përfunduar në pranga të Inspektoratit Policor.

Burimet e IndeksOnline brenda policisë kanë thënë se zyrtari policor, jashtë detyrës zyrtare, kishte qenë në një kazino në fshatin Karaçevë, i cili ndodhet në brezin kufitar Kosovë-Serbi.

Togeri fillimisht është ndaluar nga kolegët e tij, ndërsa menjëherë janë njoftuar zyrtarët e IPK-së të cilët më pas kanë arrestuar togerin e dyshuar.

Rastin e ka konfirmuar edhe zyra për media e IPK-së, ku sipas tyre, hetuesit e Inspektoratit Policor janë njoftuar dje në orët e mbrëmjes nga policia lidhur me dyshimet se një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare (me gradën e togerit) nuk ka përfillur urdhrat bazuar në vendimet qeveritare lidhur me pandeminë Covid 19.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me prokurorin kujdestar.

“Personi i dyshuar në këtë rast – zyrtari policor, është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se ka kryer veprën penale “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

Ndryshe janë bërë disa muaj prej kur legjislativi miratoi projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit në gjithë territorin e vendit. Megjithatë, në fshatin Karaçevë të Kamenicës, i cili gjendet në zonën kufitare me Serbinë, aktivitete të tilla po zhvillohen ilegalisht.

Shpërndaje në: