Toka e Manastirit të Deçanit: Çka na tregon reagimi i sotëm i QUINT-it

Toka e Manastirit të Deçanit: Çka na tregon reagimi i sotëm i QUINT-it

20 maj 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, kishte sjell vendimin që Manastiri i Deçanit është pronar i 24 hektarëve tokë dhe pyll. Që prej këtij vendimi të Kushtetueses, ai nuk është zbatuar. Shtetet e Kuintit në Kosovë, vazhdojnë të bëjnë thirrje për zbatimin e tij ndërkohë qeveritë – përfshirë edhe këtë aktualen – refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë. Edhe sot, më 20 maj 2022, QUINT dhe BE-ja kanë ripërsëritur kërkesën që përkon me përvjetorin e vendimit të Kushtetuese, por ka edhe interpretime të tilla se veç kësaj, tash kjo kërkesë – pra zbatimi i këtij vendimi për Manastirin e Deçanit – mund të jetë kusht edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës…

Sot janë mbushur 6 vjet, prej kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës, mori vendim që Manastirit të Deçanit, t’i njihet e drejta e pronësisë për 24 hektarë tokë të kontestuara.

Ky vendim nuk është zbatuar, pavarësisht se vendimet e Kushtetueses janë të obligueshme.

“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet veç tjerash në reagimin e sotëm të vendeve të QUINT-it.

Duke qenë se QUINT në reagimin e sotëm nënvizon se ‘zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë gjyqësore, janë parakushte për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike’, Petrit Selimi përmes një mendimi të shprehur lidhur me këtë reagim, e lidhi me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, që për ‘rastësi’ sot u refuzuam të ishim në agjendë.

“Mënyra se si po e lexoj, dhe më besoni është e vetmja mënyrë për ta lexuar – aleatët tonë kyçë dhe të pazëvendësueshëm po thonë se zbatimi i vendimit përfundimtar të gjykatës së vitit 2016 për manastirin e Deçanit është “parakusht” për integrim në Këshillin e Evropës, NATO, etj. Një mesazh i fortë por që është kërkesë e kahmotshme”, ka shkruar Selimi.

Vendimi i Kushtetueses i vitit 2016 kundërshtohet nga qeverisja lokale e Deçanit, e cila refuzon ta zbatojë atë, duke pretenduar se ajo pronë është e kompanive shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e Manastirit të Deçanit. Autoritetet lokale në Deçan besojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese legalizoi vendimin e Sllobodan Millosheviqit nga viti 1997, kur vendosi t’i dhurojë këtë pronë Manastirit të Deçanit.

Më 4 shkurt të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin e tij se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i bazuar në “politikën diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë, të vitit 1997.

Kurti deklaroi se Qeveria e tij do të përpiqet t’i ruajë të drejtat legjitime të Manastirit të Deçanit, por pati shtuar se edhe liderët fetarë duhet të bëjnë pjesën e tyre, gjegjësisht të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut dhe marrëveshjes me popullatën lokale në Deçan.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, pati deklaruar në një debat televiziv, se ‘është shumë problematike të zbatohet një vendim i tillë’.

“Ata që i përkasin shteteve të pjekura, iu duket fort e pranueshme dhe fort e gabueshme sepse bazamenti i shtetit është kur institucioni kryen punën e vet sipas kompetencave. Unë them që ai nuk duhet të zbatohet.  Sepse unë kam hy dhe e kam studiu kuadrin ligjor, jo të Gjykatës Kushtetuese, por kuadrin ligjor të pronësisë dhe vendimit politik kur është marrë dhe në bazë të cilit ka marrë Gjykata Kushtetuese. Pra është dimensioni i parë që për mua është skandaloz”, ka thënë Konjufca në Rubikon, pati transkriptuar këtë pjesë Periskopi.

Kryeministri Albin Kurti, në maj të vitit 2021, pati kërkuar dialog me kryemurgun e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

Janjiq pati refuzuar kërkesën e kryeministrit Kurti për takim, duke e quajtur një kërkesë ‘krejtësisht të pakuptimtë”.

Periskopi, në ditët kur kjo temë ishte riaktualizuar shumë – sidomos me refuzimin e institucioneve të Kosovës për ta zbatuar vendimin, kishte  kërkuar nga Ambasada Amerikane një deklaratë, në të cilën na thanë se ‘mbesin në deklaratën që kanë lëshuar bashkë me të gjitha shtetet e Kuintit’./Periskopi 

 

 

Shpërndaje në: