Tomë Gashit i merret goja duke u arsyetuar për sulmin ndaj lypësit: Thotë që VV s’ka të bëj asgjë me rastin

Tomë Gashit i merret goja duke u arsyetuar për sulmin ndaj lypësit: Thotë që VV s’ka të bëj asgjë me rastin

Avokati Tomë Gashi ka vazhduar të arsyetojë veprimin e tij që u kap nga Periskopi e në të cilën shihej ai duke i shkelmuar lëmoshën një lypësi në Prishtinë.

Ai ka deklaruar se këta lypësa janë mashtrues që keqpërdoren nga “bosat e tyre”, por pa ofruar ndonjë fakt në lidhje me këtë çështje. Për më tepër, edhe nëse do të ishte e vërtetë, lypësi në fjalë do të ishte thjesht një viktimë e një tjetër abuzimi, dhe jo vetë mashtrues.

“Kjo nuk ka qenë hera e parë, por besoj se do të jetë e fundit kur ne qytetarët reagojmë në mënyra të llojllojshme për t’i larguar.” – u shpreh ai, edhe pse nuk dihet nëse kjo fjali është thënë me kërcënim, apo me idenë se nuk do të reagojë më ndaj këtij lypësi, apo lypësve të tjerë.

“Mu më ka ndodhur me dalë me inspektorat e me polici, kemi dalë dhe i kemi pa në situata të tilla; janë më të shëndoshë se unë, i bëjnë këto inskenime, ato vajtime që të trishtojnë. Për shkak se ai është një farë detyrimi me ua dhënë ndonjë lek, sepse ata as që janë të Kosovës, por s’ka lidhje ajo [që nuk janë të Kosovës],” – vazhdoi z.Gashi.

Është e zorshme të kuptohet se si ky person është avokat duke parë lidhjen e tmerrshme të fjalive, dhe për më tepër edhe postimet me gabime elementare drejtshkrimi në profilin e tij.

“Policia e Kosovës e ka dënu një klienten time e cila ka qeshur në orët e vona të natës, u kam thënë policëve si e keni dënu një person që ka qeshë një herë, por këta i keni në rrugë qe dy vite.” – tha ai në një emision të televizionit T7.

Në fakt, lypësi në fjalë nuk kishte qenë në shesh duke rënkuar në orët e vona të natës.

“Unë kam qenë duke ecur, jam ndalë me fol me të e me i kërku me e ndalë zërin… fyerjet që ai i ka bërë, nuk mund t’i them tani, kam tentu me i thënë ule zërin, s’kam pasur kontakt fizik me të. Aty ka pasur persona që kanë incizuar me telefona dhe s’kam reaguar.” – pretendoi më tej ai.

Policia e Kosovës ende nuk e ka arrestuar apo intervistuar avokatin që njihet edhe si një mbështetës fanatik i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se me gjestin në fjalë nuk ka të bëj Vetëvendosja, pasi një gjë të tillë e bëri me këmbën e tij. /Periskopi

Shpërndaje në: