Tovërlani: Nëse FFK ka fabrikuar deklarata nga UEFA, dikush duhet të japë përgjegjësi

Tovërlani: Nëse FFK ka fabrikuar deklarata nga UEFA, dikush duhet të japë përgjegjësi

Në lidhje me mundësinë që FFK-ja ka falsifikuar deklaratat e UEFA-s dhe FIFA-s ka folur edhe një ndër trajnerët më të suksesshëm në futbollin kosovar, z.Afrim Tovërlani.

Tovërlani për Periskopin është shprehur skeptik që FFK-ja ka mundur të fabrikojë deklarata nga UEFA, por megjithatë ka kërkuar që dikush të mbahet përgjegjës nëse një gjë e tillë ka ndodhur.

“Nëse ka fabrikime të deklaratave të rrejshme duhet të thirret në përgjegjësi, kush e ka bërë.” – ka thënë ai, i kontaktuar nga Periskopi.

Sidoqoftë, Tovërlani ka deklaruar se për të nuk ka “fabrikim” deri në momentin kur vetë presidenti i UEFA-s del të komunikojë një gjë të tillë.

Periskopi kishte informuar më herët se kishte një shpërputhje mes komunikatave që kishte lëshuar FFK-ja në faqen e saj në versionin shqip dhe në atë anglisht.

Në versionin shqip, presidenti i UEFA-s Çeferin shprehte “shqetësim në lidhje me situatën e krijuar në FFK, dhe mbështeste fuqishëm krerët e federatës”, por një gjë e tillë nuk ndodhte edhe në versionin anglisht.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe UEFA për Periskopin, duke deklaruar se “ata nuk komentojnë zgjedhjet brenda federatave anëtare” në këtë mënyrë duke demantuar FFK-në se kishin reaguar duke e mbështetur z.Agim Ademi.

Iu kujtojmë se z.Agim Ademi së fundi është dënuar me 9 muaj burgim efektiv nga Gjykata Themelore në Prishtinë pasi kishte kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, e të cilin e kishte detyruar që të bënte veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht përfitim të padrejtë në shumën prej 30 mijë eurosh apo një veturë të tipit “BMW X5” e cila duhej t’i dorëzohej z.Sami Hamiti. /Periskopi

Shpërndaje në: