Tragjedia në Gllogjan, rasti po hetohet si “vrasje e rëndë”

Tragjedia në Gllogjan, rasti po hetohet si “vrasje e rëndë”

Rasti i sulmit ndaj autobusit që transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan, ku u vranë tre persona dhe u plagos një, po hetohet nga Policia si “vrasje e rëndë”.

Kështu është cilësuar rasti në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, drejtuar mediave. Në raport thuhet se i dyshuari për këtë rast gjendet në arrati.

“VRASJE  E RËNDË- Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58.  Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit,  viktima mashkull  kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj  dhe një femër (nxënës) janë dërguar në  Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.

Ndryshe, tre persona janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit.

Të shtënat kanë ndodhur të premten, në orët e mbrëmjes.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë se policia, tash për tash, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist.

Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se “sulmin e ka kryer një person i vetëm”.

Shpërndaje në: