Tragjike: Mbi 900 të vdekur në Afganistan nga tërmeti

Tragjike: Mbi 900 të vdekur në Afganistan nga tërmeti

Një tërmet goditi mëngjesin e së mërkurës Afganistanin lindor, duke lënë të vdekur qindra persona, sipas informacioneve të para. Ende nuk dihet numri i saktë i viktimave dhe të plagosurve të tërmetit me magnitudë 6.1 ballë që goditi provincën Paktika.

Agjencia e lajmeve Associated Press (AP) raporton se sipas një zyrtari të emergjencave civile në Afganistan numri i viktimave arrin shifrën e 920 personave, ndërsa 600 mendohet të jenë të plagosurit.

Tërmeti, i cili goditi gjatë orëve të para të mëngjesit teksa shumë njerëz flinin, ishte një tërmet me thellësi rreth 51 km, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Bakhtar” raportoi detajet dhe tha se ekipet e shpëtimit kanë mbërritur me helikopterë në rajonet e prekura nga tërmeti.

“Një tërmet i fortë tronditi katër rajone të provincës Paktika, duke vrarë dhe plagosur qindra bashkatdhetarë dhe duke shkatërruar dhjetëra shtëpi”, shkroi në Tëitter Bilal Karimi, zëdhënës i qeverisë talibane. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha agjencive të ndihmës së shpejtë që të dërgojnë ekipe në zonë menjëherë për të parandaluar katastrofën e mëtejshme.”

Lëkundjet u ndien në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, dhe gjetkë në provincën lindore të Punjabit.

Agjencia evropiane sizmologjike, EMSC, tha se lëkundjet e tërmetit u ndien mbi 500 kilometra nga më shumë se 119 milionë njerëz në të gjithë Afganistanin, në Pakistan dhe Indi.

Shpërndaje në: