Trajkovic: Vuçiq dëshiron ta kthejë kontrollin mbi serbët e Kosovës në mënyrat e vjetra

Trajkovic: Vuçiq dëshiron ta kthejë kontrollin mbi serbët e Kosovës në mënyrat e vjetra

Rada Trajkovic, politikania serbe e Kosovës, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth referendumit të Serbisë dhe refuzimit të institucioneve të Kosovës që të mbahet edhe në territorin e saj.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës ka dhënë një intervistë për jugpress, citon Danas, ku ka deklaruar se refuzimi do t’i shërbejë më së shumti presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

 

Duket se cenimi i vazhdueshëm i marrëveshjes së Brukselit nga kryeministri kosovar, Albin Kurti e ka frymëzuar presidentin serb që të fillojë të mendojë për cenimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, pohon ajo.

“Përshtypja ime është se lëvizja e radhës e Vuçiqit mund të jetë nxjerrja e serbëve nga institucionet e Kosovës dhe bojkotimi i zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë. Ky kërcënim për destabilizimin e Kosovës po bëhet më konkret, veçanërisht nga frika e Vuçiqit se disa serbë të tjerë – jo Lista Serbe – mund të marrin pozita të rezervuara për serbët brenda sistemit të Kosovës”, tha ajo.

Trajkoviq më tutje pohoi se “Mos të harrojmë se deri vonë serbët në sistemin e Kosovës kontrolloheshin nga “kontrolluesi” joformal i Vuçiqit për Kosovën, Milan Radoiçiq. Por pas vendimit për sanksionet amerikane ndaj tij, kjo qendër pushteti humbi besueshmërinë e saj. Tani duket se Vuçiq dëshiron ta kthejë kontrollin mbi serbët e Kosovës në mënyrat e vjetra – brenda institucioneve të Serbisë në Kosovë”.

E pyetur se si e percepton dhe komenton faktin se në Kosovë nuk do të organizohet referendumi, ajo tha se “refuzimi i Kurtit për të organizuar referendum në territorin e Kosovës është thjesht mohim i realitetit”.

Fakti është se Kosova nuk ka sovranitet të plotë ndërkombëtar, siç është fakti që Beogradi nuk ka kontroll funksional mbi territorin e Kosovës, dhe zgjidhja e kësaj marrëdhënie komplekse është temë dhe qëllimi i negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, konsideron Trajkoviq.

Ndryshe, shtetet e QUINT-it i kanë kërkuar institucioneve të Kosovës të lejojnë të organizohen zgjedhjet edhe në territorin e Kosovës si në të kaluarën, por që zyrtarët e vendit tonë ka thënë se serbët e Kosovës që kanë edhe shtetësi të Serbisë mund të votojnë me postë ose në Zyrën Ndërlidhëse të Beogradit në Prishtinë.

Shpërndaje në: