Tre të therur, në dy raste të ndryshme, në Prishtinë

Tre të therur, në dy raste të ndryshme, në Prishtinë

Tre persona janë therur me thikë në dy raste të ndryshme gjatë ditës në Prishtinë.

Rasti i parë ka ndodhur në lagjen e spitalit derisa rasti tjetër në rrugën “Muharrem Fejza”.

Kështu bëri të ditur për Klankosova.tv Agron Borovci, zëdhënës i policisë për rajonin e Prishtinës.

Borovci tha se i lënduari është dërguar për trajtim në Qendren Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Ai theksoi se policia i ka ngritur dyshimet tek dy persona të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

“Rreth orës 14:00 është raportuar për një therje me thikë të ndodhur në një lokal në lagjen e spitalit në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga të dhënat e para dyshohet për një person të lënduar nga mjeti i mprehtë ( thikë) i cili është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë mjekësor. Aktualisht policia ka ngritur dyshimet për dy të dyshuar të implikuar në rast, të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes ndërkohë që është iniciuar një hetim me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit” – tha Borovci.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës Agron Borovci, shtoi se tek rasti i dytë i cili ka ndodhur në rrugën “Muharrem Fejza” janë therur dy persona.

Borovci tha se një person i cili dyshohet se është i përfshirë në rast është shoqëruar për në stacionin policor, derisa të plagosurve iu është ofruar tretmani mjekësor.

“Rreth orës 18:00 është raportuar për një therje me thikë të ndodhur në rrugën “Muharrem Fejza” në lagjen Mati në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga të dhënat e para dyshohet për dy persona të lënduar nga mjeti i mprehtë ( thikë) të cilëve u është ofruar trajtimi mjekësor. Një i dyshuar që dyshohet të jetë i implikuar në rast, është shoqëruar për në stacionin policor. Ndërkohë që policia kq iniciuar një hetim me qëllim sqarimin e rrethanave të rastit”- tha Borovci.

Shpërndaje në: