Tregojnë shifrat e Policisë: Krimi është luftuar më shumë në vitet e kaluara se sivjet

Tregojnë shifrat e Policisë: Krimi është luftuar më shumë në vitet e kaluara se sivjet

Kryeministri Albin Kurti po vazhdon deklaratat se prej ardhjes së tij në krye të Qeverisë ka nisur luftën kundër krimit të organizuar. Madje, më 14 tetor, kryeministri Kurti, nga Shkupi kishte thënë se po luftojnë me të madhe krimin dhe grupet kriminale.

Mirëpo, shifrat tregojnë se edhe kur Kurti nuk ishte në pushtet, Policia e Kosovës (PK), kishte luftuar grupet kriminale dhe kishte kryer aksione edhe më të madha duke treguar suksese edhe më të madhe në dy vitet e fundit se sa këtë vit.

Bazuar në statistikat e Policisë, këtë vit janë goditur 34 grupe kriminale, një vit më parë 28, derisa më 2019 ishin goditur 37 grupe kriminale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pra, lufta ndaj grupeve kriminale nuk ka pasur rritje të madhe prej ardhjes së kryeministrit Kurti në krye të Qeverisë.

Suksesi i Policisë së Kosovës ka qenë më i madh në sekuestrimin e heroinës në vitet 2019 dhe 2020 se sa këtë vit. Para dy vitesh, janë sekuestruar gati 8 kilogramë heroinë, vitin e kaluar 9.8 kilogramë, derisa këtë vit vetëm 1.8 kilogram.

Te sekuestrimi i kokainës, viti 2021 është më i suksesshëm për Policinë e Kosovës, pasi i ka sekuestruar 412 kilogramë, ndërsa një vit më parë vetëm 2.6 kilogramë dhe më 2019 vetëm 1.5 kilogram.

Edhe te sekuestrimi i marihuanës, viti 2019 ka qenë më i suksesshëm krahasuar me vitin 2020 dhe 2021. Para dy vitesh, janë sekuestruar 824 kilogramë, vitin e kaluar 256 kilogramë, kurse këtë vit janë sekuestruar vetëm 291 kilogramë.

Edhe te sekuestrimi i bimëve të kanabisit, viti 2019 ishte më i suksesshëm për Policinë e Kosovës se sa më 2020 dhe 2021. Bimë kanabisi më 2019 janë sekuestruar 6 mijë e 810, derisa një vit më vonë 5 mijë e 622. Ndërkaq, sivjet janë sekuestruar vetëm 1 mijë e 470 bimë kanabisi.

Edhe te sekuestrimi i armëve, viti 2019 prin për rezultatet e Policisë. Para dy vitesh janë sekuestruar 212 armë, vitin e kaluar 98 derisa këtë vit janë sekuestruar vetëm 58 armë.

Te sekuestrimi i parave, Policia e Kosovës sivjet është treguar më e suksesshme se sa në dy vitet paraprake. Kështu, sivjet i ka sekuestruar 3.8 milionë euro, vitin e kaluar mbi gjysmë milioni derisa më 2019 i ka sekuestruar 2.6 milionë.

Policia e Kosovës ka konfiskuar më së shumti franga këtë vit, krahasuar me dy vitet paraprake.

Sivjet ka sekuestruar 5.8 milionë franga, vitin e kaluar 4.2 milionë, derisa më 2019 vetëm 1.2 milion franga.

Shpërndaje në: