Tri ditë nuk kanë mbyllur sytë, familja Zeneli frikësohet se çatia do të shembet

Tri ditë nuk kanë mbyllur sytë, familja Zeneli frikësohet se çatia do të shembet

Në shtëpinë e Familjes Zeneli në Duqanxhik të Komunës së Çairit shiu pikon brenda.

Katër muret mbajnë në këmbë çatinë e cila është gjysmë e shembur. Tre netë me radhë nuk mund të bëjnë gjumë pasi uji ka depërtuar dhe ka lagur të gjitha gjësendet. Kanë frikë se mund të marrë flakë shtëpia pasi kanë kabllo të lagura nga shiu.

Mbi çati kanë vendosur qese që sadopak të mbrohen nga moti i ligë. Sabirja është nënë e 3 fëmijëve, vajza e saj është e martuar, ndërsa dy djemtë e saj punojnë por paratë nuk u dalin as për t’i blerë ilaçet. Njëri prej tyre është Arijani i cili punon si sigurim dhe merr rrogë prej 13 mije denarëve. Nuk marrin asnjë ndihmë shtetërore.

“Jo që unë dua por jam e detyruar të jetoj kështu. Më vjen shumë keq. Këtu është e çarë dhe e krisur. Është e mykur se shiu po hyn edhe këtu. I gjithë muri është uj”, tha nëna Sabire.

Përveç skamjes edhe nëna Sabire ankohet prej disa sëmundjeve që kërkojnë terapi e ajo nuk ka para. Duhet të bëjë operacion në tru pasi që është diagnostikuar me kancer në tru.

“Këtu i vendosi teshat nuk është turp se nuk kam ku ti vendosi nuk kam raft. Kush mundet le të na ndihmojë. Më kishte ardhë mirë nëse dikush na del në krah. Kur e shoh kështu gjendjen po sëmurem edhe më shumë. Pi disa hapa që të qetsohem se dridhem, sëmurem më keq”, tha Sabirja.

Njerëzit human i kanë sjell miell dhe ushqim nuk ka ku ta ruaj për shkak të mykut të madh. Nëna Sabire për festën e fundit të Bajramit I kanë dhënë mish kurbani të cilin do ta përgatisë për darkë.

“I kam lënë mushkritë të shkrihen, thash t’i përgatis që të hanë fëmijët. Ata më thonë mami duhesh të hash, unë ju them mos më shikoni mua, hani ju, ata më thonë nëse ti nuk ha as ne nuk do të hamë”, tha nëna Sabire. U larguam nga familja Zeneli, me shpresë për një ndihmë ndaj tyre nga njerëzit të cilët do të solidarizohen me ta duke ju mundësuar që edhe ata të bëjnë një sy gjumë të rehatshëm.

Shpërndaje në: