Tri dozat për të hyrë në Kosovë: Ministria e Shëndetësisë lëshon njoftimin e fundit për qytetarët

Periskopi.com Lajme

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë një shpjegim për masat e fundit kundër COVID-19 të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, duke thënë se vendimi parasheh lehtësim për ata me tri doza të vaksinës, për shkak të rrezikut dukshëm më të ulët për t’u infektuar, derisa shtetasit e Republikës së Kosovës mund të hyjnë në vend duke qenë të vaksinuar vetëm me dy doza, pa pasur nevojën e prezantimit të testit negativ RT PCR, dhe po ashtu edhe nëse nuk i kanë dy doza të vaksinës, por duke iu nënshtruar karantinimit shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas ministrisë, të gjitha masat e ndërmarra kanë qenë rezultat i analizës së rregullt të situatës epidemiologjike në vend, konsultimeve me profesionistët shëndetësor dhe komisionin këshill-dhënës lidhur me COVID-19, të cilat janë trajtuar në komitetin për koordinim dhe vlerësim lidhur me COVID-19, ku përfaqësohen institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës me COVID-19.

“Vendimi nuk kërkon domosdoshmërisht dëshminë e vaksinimit me tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë, duke pasur gjithashtu mundësinë e hyrjes me dy doza bashkë me praninë e testit negativ RT PCR jo më të vjetër se 48 orë, rregull që është praktikuar edhe nga shtete te tjera. Ministria e Shëndetësisë rikujton se nga mesi i javës së kaluar Kosova ka parë një rritje të shpejtë të raste të COVID-19, duke shkuar deri në mbi 3.000 raste të reja në ditë, dhe kjo ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të pacientëve në spitale, ndërkaq shkalla e lartë e vaksinimit është thelbësore në mënyrë që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet, e në këtë drejtim të minimizojmë rastet e vdekjeve. Duke pasur parasysh që vendimi për masat kundër COVID-19 vlen për periudhën deri me 04 Shkurt 2022, dhe se bazohet në vlerësimin e situatës së intensitetit të përhapjes dhe kapacitetit të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve. Mekanizmat kundër COVID-19 do të monitorojnë në baza ditore situatën epidemiologjike lidhur me COVID-19 dhe deri në fundin e javës, institucionet tona do të mund të kenë një pasqyrë më gjithëpërfshirëse se cili ka qenë ndikimi i rritje së rasteve të COVID-19 në ngarkesën spitalore dhe në varësi të kësaj, si dhe të numrit të rasteve të reja gjatë ditëve në vijim, të gjitha masat do të mund të rishikohen”, thuhet në njoftim.