Trofeu i Kupës së Botës zbarkoi në Prishtinë

Trofeu i Kupës së Botës zbarkoi në Prishtinë

Për herë të parë trofeu i Kupës së Botës ka zbritur në Kosovë.

Një gjë e tillë u bë e mundur nëpërmjet FIFA-s dhe partnerit të saj ‘Coca Cola’ në bashkëpunim me FFK-në.

Turneu i paraqitjes së trofeut më të dashur në botën e futbollit ka nisur në Dubai, teksa ka bërë xhiro në shumë vende të botës, duke arritur tashmë për herë të parë edhe në kryeqytetin e Kosovës. Në një ceremoni rasti në hotel “Emerald” zbulimin e trofeut para dashamirëve të shumtë të futbollit në Kosovë e bënë presidenti Agim Ademi dhe ylli i futbollit brazilian, Gilberto Silva. Trofeu i krijuar i tëri nga ari ka një peshë prej 6 kg e 144 gram, me një dizajn që daton nga viti 1974, teksa ai pas turneve në shumë shtete të botës do të përfundojë në Katar, aty ku në nëntor të këtij viti nis Kampionati Botëror.

Kryetari Ademi u shpreh i lumtur që ky event i madh tashmë e ka përfshirë edhe Kosovën, vendin i cili jeton me futbollin, teksa shprehu shpresën se në të ardhmen e afërt edhe Kombëtarja e Kosovës do të jetë pjesë e finaleve të Kupës së Botës.

“Kjo është një ngjarje vërtetë e rëndësishme për opinionin tonë, për futbollin tonë, për shtetin tonë. Pas 6 vjetësh prej se jemi pranuar në FIFA, erdhi momentin që ngjarja më e madhe që bëhet nga FIFA dhe që vë në lëvizje gjithë botën e futbollit, pra trofeu më i çmuar në rruzullin tokësor, Kupa e Botës, të vije sot në Kosovë. Ky është trofeu origjinal, i cili faktikisht para shtatë muajve jemi dakorduar dhe jemi njoftuar nga FIFA se jemi përzgjedhur për të qenë mikpritës të këtij trofeu. Kjo kupë ka ardhur sot nga dora e një legjendë e futbollit, i cili e ka pasur live dhe e ka fituar këtë trofe. Është një ogur i mirë edhe për neve këtë herë sepse ka ardhur për ta vizituar Kosovën në këtë formë kjo kupë, por nga dora e legjendës Gilberto Silva dhe me fatin e tij besoj se edhe Kosovës do t’i vjen dita kur ta fitojmë dhe të njëjtën kupë ta sjellim këtu, duke besuar në futbollin tonë, në talentin tonë dhe në gjithë njerëzit”, theksoi Ademi.

Kjo është hera e parë që trofeu i Kupës së Botës ka zbarkuar në Kosovë.

Shpërndaje në: