Tromp: Kosova nuk ka bërë asgjë kundrejt gënjeshtrave të Serbisë

Periskopi.com Intervista

Është befasues reagimi joadekuat i të gjithë atyre, kundër të cilëve Serbia gënjen, përfshirë edhe Kosovën, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, si dhe hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, për 12 vjet me radhë.

Ajo është autore e librit “Procesi penal kundër Sllobodan Millosheviqit: gjykimi i papërfunduar”, i cili u promovua të hënën, më 13 dhjetor, në Prishtinë.

Tromp thotë se mospërfundimi i procesit gjyqësor ndaj Millosheviqit, për shkak të vdekjes së tij më 2006, ka lënë pa zbardhur ideologjinë e tij se a kanë ndodhur luftërat për shkak të patologjisë së personalitetit të tij dhe evoluimit të vetëdijes së tij në vetëdije kriminale.

Tromp shpjegon gjithashtu arsyet se pse Millosheviqi nuk e ka dashur praninë e Misionit verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) gjatë luftës në Kosovë, si dhe për Reçakun, ku ka ndodhur një prej masakrave të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë.

Sipas saj, autoritetet serbe, përfshirë edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministrin serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vullin, sot e mohojnë në mënyrë të vazhdueshme të vërtetën për Reçakun, ashtu sikurse edhe për Vukovarin, Dubrovnikun, Sarajevën dhe Srebrenicën, në mënyrë që të zvogëlohet përgjegjësia e Serbisë.

Siç thotë ajo, jo vetëm udhëheqësit politikë dhe shtetërorë, por edhe gazetarët e akademikët nuk janë përpjekur që t’i gjejnë citatet relevante nga Tribunali i Hagës dhe të thonë ‘zoti Vullin, ju jeni ministër i Republikës së Serbisë, por ju po gënjeni’, lidhur me masakrën në Reçak.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Tromp, në Prishtinë është promovuar libri juaj “Procesi penal kundër Sllobodan Millosheviqit: gjykimi i papërfunduar”. Çfarë faktesh përmbledh dhe sjell para lexuesve ky libër?

Nevenka Tromp: Libri “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviqit” merret me arkivin e gjykimit të tij në Tribunalin e Hagës. Ky gjykim ka zgjatur prej shkurtit të vitit 2002 deri në mars të vitit 2006, kur është ndërprerë, për shkak se zoti Millosheviq vdiq.

Ai vdiq para shqiptimit të aktvendimit dhe ky libër ka provuar që të mbrojë tezën se gjykimet për krime të luftës, për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, në vetvete janë shumë të rëndësishme, pikërisht për shkak të provave dhe dëshmitarëve që janë paraqitur atje. Vetë aktvendimi dhe dënimi, që eventualisht do të pasonte, janë të rëndësishëm, sepse ata edhe janë qëllimi i proceseve penale.

Por, pavarësisht nga kjo, materiali i shumtë që ka mbetur pas gjykimit të tij… unë kam pasur dëshirë që t’ia paraqes publikut akademik dhe joakademik, do të thotë, publikut të gjerë, në mënyrë që t’i tregoj se çfarë në fakt ka ndodhur gjatë viteve të 90-ta , pse kanë vuajtur njerëzit aq shumë dhe a ka lindur nga vuajtjet e atyre luftërave, a ka lindur diçka e qëndrueshme, diçka e drejtë apo as ato luftëra dhe as këto gjykime në Hagë, në fakt, nuk kanë sjellë deri te zgjidhjet e përhershme për ish-Jugosllavinë./Intervista e plotë në REL/