Tronditet Elbasani: Ekzekutohet brenda makinës së tij 41-vjeçari, plagoset bashkëshortja

Tronditet Elbasani: Ekzekutohet brenda makinës së tij 41-vjeçari, plagoset bashkëshortja

Një 41-vjeçar është ekzekutuar në një atentat, mbrëmjen e sotme në Elbasan. Ngjarja ndodhi në lagjen “Skënderbej” ku u vra me armë zjarri 41-vjeçari Everest Çaka, i cili më parë kishte mbajtur emrin Ibrahim Çaka, teksa ka mbetur e plagosur bashkëshortja e tij Silvana Çaka.

Krimi i tretë në vend brenda 24 orësh, pas vrasjes në Vlorë dhe asaj në kryeqytet, Elbasani u trondit mbrëmjen e sotme rreth orës 20:10, ku në lagjen “Skënderbe”, në rrethana ende të paqarta u vra me armë zjarri 41-vjeçari Çaka, emër i njohur për policinë, i dyshuar në vitin 2010 për një vrasje. Gruaja e tij Silvana që ndodhej me të në makinë, mbeti e plagosur në dorë. Ajo u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burime për “BalkanWeb” bënë me dije se në Elbasan, në sallën operative të Drejtorinë Vendore të Policisë ka ardhur një telefonatë për të shtëna me armë zjarri në lagjen “Skënderbe”, që ka njoftuar për ngjarjen në afërsi të një kompleksi në autostradë. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën. Janë ngritur pika konrolli në hyrje – daljet në qytetin e Elbasanit dhe vijon kontrolli i zonës. Në Elbasan ka shkuar dhe drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e kapjen e autorit/ve. Kjo është vrasja e tretë në harkun kohor të tre javëve në Elbasan, mesatarisht 1 vrasje në javë, nga 21 prilli kur u vra Pjerin Xhuvani, për të vijuar me vrasjen e 54-vjeçares Liljana Buzo nga bashkëshorti i saj ish-polic.

VRASJA PËR HAKMARRJE?

Vrasja e sotme në Elbasan duket se ka hakmarrjen si motiv dhe bëhet fjalë për një seri vrasjesh të nisura prej disa vitesh. Everest Caka ose i njohur ndryshe si Ibrahim Caka rezulton të jetë akuzuar për vrasjen e Gëzim Alikajt në 2010.
Madje ai dyshohej atëhere të ishte ekzekutor direkt, pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë vëllain në Spanjë disa vite më parë. Të përfshirë në ngjarje ishin dhe Elton Hyka dhe Ardit Spahiu.

Ndërkohë disa muaj më parë në Belgjikë u vra dhe kushëriri i Everest Cakës, Arjan (Ardit) Spahiu me tetë plumba në nëntor të 2020.

Shpërndaje në: