Trudeau fiton mandatin e tretë si kryeministër i Kanadasë

Trudeau fiton mandatin e tretë si kryeministër i Kanadasë

Justin Trudeau e ka fituar mandatin e tretë si kryeministër i Kanadasë. Partia Liberale pritet ta marrë numrin më të madh të ulëseve në zgjedhjet e parakohshme. Trudeau tha se rezultati i garës është mandat i qartë për ta udhëhequr vendin në pandemi.

Pas numërimit të shumicës së votave të hënën në mbrëmje, Trudeau është në rrugë për të formuar një qeveri tjetër të pakicës, duke lënë të kuptohet se përsëri do të ketë nevojë për përkrahjen e partive tjera për miratimin e ligjeve.

“Ju dëgjoj, kur thoni se dëshironi t’u ktheheni gjërave që i doni, të mos brengoseni për pandeminë ose zgjedhjet. U keni dhënë kësaj qeverie dhe këtij kuvendi një drejtim të qartë”, tha Trudeau të martën në mëngjes, duke pranuar se vendimi për të shpallur zgjedhje të parakohshme nuk ishte i përkrahur.

Sipas rezultateve preliminare, Partia Liberale pritet të fitojë 156 ulëse, më pak se 170 sa nevojiten për ta siguruar shumicën parlamentare. Konservatorët e opozitarit Erin O’Toole pritet t’i kenë 121 ulëse. Këto rezultate u ngjajnë shumë atyre të zgjedhjeve të vitit 2019, shkruan The Guardian.

Kryeministri Trudeau në gusht vendosi që të shpallte zgjedhje të parakohshme me shpresën se menaxhimi i pandemisë nga qeveria e tij do të mund ta rriste fuqinë e Partisë Liberale në kuvend.

Shpërndaje në: