Trump vs. rrjetet sociale: Urdhëri i Presidentit amerikan i bën përgjegjëse Facebookun e Twitterin për çdo postim nga përdoruesit

Periskopi.com Lajme

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të urdhërojë një rishikim të ligjit që deri tash ka mbrojtur Twitterin, Facebook-un dhe Google-n nga përgjegjësia për materialet e postuara nga përdoruesit e tyre, sipas një drafti ekzekutiv që e ka parë Reuters.

Trump ka kërcënuar se do të mbyllë këto faqe që i akuzon se po heshtin zërat e konservatorëve, pasi Twitter i vuri etiketë dy postimeve të Trumpit duke iu dhënë mundësinë lexuesve që të shihnin faktet mbi pretendimet e tij.

Të mërkurën, zyrtarët thanë që Trump do të nënshkruante një urdhër ekzekutiv ndaj kompanive të mediave sociale gjatë ditës së sotme, por nuk dhanë detaje, shkruan The Guardian, përkthen Periskopi.

Kopja e këtij drafti të urdhërit është parë nga Reuters dhe mund të ndryshohet para se të finalizohet.

Gjatë ditës së djeshme, Trump postoi në Twitter: “Kompanitë e mëdha teknologjike po bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre të konsiderueshme që të censurojnë paraprakisht zgjedhjet 2020. Nëse ajo ndodh, ne më nuk e kemi lirinë tonë. Kurrë s’do ta lë që kjo të ndodh!”

Urdhëri ekzekutiv do t’i kërkonte Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC) që të propozonte rregulla të qarta për këto kompani. Ndryshime të tilla do t’i ekspozonin kompanitë ndaj shumë padive gjyqësore. /Periskopi

Shpërndaje në: