Trumpi mbron çuditshëm Bidenin pasi Kimi i tha “qen i tërbuar që duhet të rrahet me shtagë”

Periskopi.com Lajme

Donald Trump i ka dalë në mbrojtje njërit prej rivalëve të tij më të hidhur politikë, Joe Bidenit, pasi Korea e Veriut e kishte përshkruar si “qen të tërbuar” që duhet të “rrahet për vdekje”.

Trump kishte deklaruar se sulmi i Pyongyangut ndaj kandidatit demokrat për të fituar nominimin e partisë për t’i dalë kundër në garën presidenciale ishte “paksa i padrejtë”.

Kritikat e Trumpit ndaj Koresë së Veriut vinë në kohën kur po provohet që të ringjallen bisedimet për armët bërthamore.

“Joe Bideni mund të jetë i fjetur e i ngaththë,” shkroi Trump në Twitter, “por ai nuk është qen i tërbuar. Ai është në të vërtetë disi pak më i mirë se aq.”

Të premten, Korea e Veriut kishte akuzuar Bidenit se “kishte marrë guximin që ta përgojonte dinjitetin e lidershipit suprem të vendit të tyre” megjithëse regjimi nuk kishte specifikuar se në çka e kishin fjalën, shkruan The Guardian, përkthen Periskopi.

“Qentë e tërbuar si Bideni mund të lëndojnë shumë njerëz nëse lejohen që të kenë pushtet,” ishte deklarata e agjencisë së lajmeve shtetërore të këtij vendi. “Këta njerëz duhet të rrahën deri në vdekje me shtagë.”

Ka spekulime se Korea e Veriut ishte zemëruar për shkak të një reklame nga fushata e kandidatit demokrat ku kritikohej politika e jashtme e Trumpit. “Po lavdërohen tiranët dhe diktatorët, po anashkalohen aleatët tanë,” thoshte ajo.

Shpërndaje në: