Trupat serbe të Bosnjës “ndaluan dhe vranë” të burgosur lufte

Trupat serbe të Bosnjës “ndaluan dhe vranë” të burgosur lufte

Qendra për të Drejtën Humanitare njoftoi të hënën se kishte paraqitur një ankesë penale në prokurorinë serbe për krimet e lufte duke akuzuar komandantin e Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Brigadës Igman të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Miroslav Skoriç, bashkë me pesë persona të tjerë të identifikuar dhe një numër ushtarësh të paidentifikuar, për krime kundër të burgosurve të luftës në Golo Brdo në malin Igman në korrik 1993.

Ankesa penale, e cila ishte paraqitur më 31 janar, thotë se viktimat ishin të gjithë anëtarë të Ushtrisë Boshnjake.

Pas marrjes nën kontroll të Golo Brdos më 17 korrik 1993, anëtarë e Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Brigadës Igman të Ushtrisë Serbe të Bosnjës nën komandën e Skoriç ndaluan katër trupa të Ushtrisë Boshnjake në dy bunkerë, pretendon ankesa penale.

Ata vranë menjëherë njërin prej tyre, Robert Kahrimanoviç, dhe i çuan tre të burgosurit e tjerë në këmbë në malin Igman, jo shumë larg Blazujit, ku u takuan me ish-komandantin e Njësisë së Reagimit të Shpejtë, Branislav Gavriloviç, pretendon ajo.

“Me urdhër të Gavriloviçit, dy nga të burgosurit, Zivko Krajisnik dhe Rusmir Hamalukiç, u vranë, ndërsa i burgosuri i katërt, Perica Koblar, u çua në shtabin e Policisë Ushtarake në Blazuj dhe iu dorëzua anëtarëve të Ushtrisë Serbe të Kosovës,” thotë ajo.

“Koblar kaloi shtatë ditë në burg në Blazuj, ku duroi tortura çdo ditë,” shton ajo.

Prokuroria serbe e krimeve të luftës tani duhet të vendosë nëse do ta pranojë ankesën e Qendrës për të Drejtën Humanitare dhe të fillojë një hetim apo jo.

/balkaninsight.com/al

Shpërndaje në: