U dënua me 3 vjet burgim për keqpërdorim të detyrës: Flet avokati i deputetes Vrenezi

U dënua me 3 vjet burgim për keqpërdorim të detyrës: Flet avokati i deputetes Vrenezi

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje,  Jetmire Vrenezi është dënuar me 3 vite burgim për veprën penale, keqpërdorim i pozitës  zyrtar, dhe me  gjobë për sa ishte zyrtare në komunën e Prizrenit.

Vrenezi u dënua për punën e saj në komunë të Prizrenit, si inspektore e ndërtimit,  shkruan Periskopi.

E ky dënim  është befasues për avokatin mbrojtës të deputetes znj.Vrenezi, Urim Vokshini.

Ai në një prononcim për Periskopin tha se deputetja në fjalë znj.Vrenezi kishte bërë të gjitha veprimet në atë kohë në përputhje me ligjin.

Vokshini tha se pas këtij vendim do të parashtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Gjykata  Themelore në Prizren sot e ka shpallë vendimin, me të cilën e ka shpallur fajtore, Jetmire Vrenezi, unë si avokat mbrojtës jemi të pakënaqur me vendimin e gjykatës sepse  në rastin konkrete, në asnjë element nuk ka pasur  vepër penale  që mund të shpallë fajtore për nxjerrën e konkluzionit , e që është e çuditshme në rastin konkret sepse veprimet e saj kanë qenë në përputhje me ligjin. Prandaj jam befasu me vendimin. Do parashtrojmë ankesë në Gjykatën e Apelit, ku besojë që gjykata do ta shqyrtoj ankesën”

I pyetur se a duhet të jap dorëheqja deputetja në fjalë pas vendimit, avokati mbrojtës tha se znj në fjalë po i përgjigjet veprimeve të bëra si inspektore e atëhershme e jo si deputete.

“Ky vendim i gjykatës së Prizrenit nuk është i plotfuqishëm, , mbetet të shohim atë se çka vendos Gjykata e Apelit, por me rendësi të sqarohet se vendimi në fjalë ka të bëjë në një  mënyrë tjetër kohore, ku ajo do të përgjigjet për veprimet e  saj si inspektore  dhe jo për detyrat e saj si deputete.”, tha Vokshini për Periskopin.

Më poshtë mund të lexoni saktë se për çfarë faji u dënua deputetja?

Gjykata Themelore në Prizren njofton se Departamenti i Krimeve të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarve I.Th., dhe J.V., për shkak se;

Se me datë 19 korrik 2019, dhe 21 korrik 2019, në Prizren në objektin “Abi Çarshia” të akuzuarit në cilësinë personave zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” Sh.P.K., Prizren në atë mënyrë:

I akuzuari I.Th., në cilësinë e Drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, duke ditur se nuk kanë të drejtë të bën rrënimin e objektit pasi i dëmtuari ka aplikuar për legalizim në përputhje me vendimin e MMPH të datës 27.08.2018, jep pëlqimin, organizon dhe merr pjesë aktive në rrënimin e objektit “Abi” Sh.P.K., në Prizren,

E akuzuara J.V., në cilësinë e inspektores së ndërtimit duke ditur se nuk kanë të drejtë të bëjnë rrënimin e objektit të të dëmtuarit, meqë është në kundërshtim me vendimit e MMPH të datës 27.08.2018, përveç inspektimeve që kanë kryer në objektet, e akuzuara

J.V., merr konkluzion mbi rrënimin e objektit “Abi Çarshia” pronë e “Abi” Sh.P.K., me nr. ……. me datë 15.07.2019.

Kështu që të akuzuarit, me datë 19.07.2019, me pjesëmarrjen e tyre aktive, realizojnë rrënimin e aneks objektit “Abi Çarshia” duke ditur se i dëmtuarit ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, veprojnë në kundërshtim me Ligjin nr. 06/L024, për trajtimin e ndërtimeve pa leje, dhe atë Neni 6 dhe 11, par. 6 në kundërshtim me nenin 5,6 dhe 7 të Udhëzimit Administrativ nr. 06/19, të datës 12.07.2019, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme Administrative si dhe vendimeve të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nr. A213/18 si dhe A-179/19, me të cilën janë anuluar aktvendimet të Drejtorisë së Inspektorateve Komunal i ndërtimtarisë në Prizren nr. ………….., nr. ……………, duke obliguar organet Komunale në Prizren të veprojnë konform ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe Udhëzimeve Administrative në fuqi, andaj të akuzuarit duke mos i përfillur vendime te Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi, me ç ‘rast gjatë rrënimit shkaktojnë dëm.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 414 par. 1-1 lidhur me nenin 31 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit i GJYKON:

– Të akuzuarin I.Th., Dënim me GJOBË në shumën prej 2.000 (dymijë) euro, dhe Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej tre (3) viteve

– Të akuzuarën J.V., Dënim me GJOBË në shumën prej 2.000 (dymijë) euro, dhe Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej tre (3) viteve

Të akuzuarit – E.M.-Th., A.T., I.B., dhe Sh.K., LIROHEN NGA AKUZA, ngase nuk është provuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 414 par. 2 lidhur me par.1 dhe neni 31 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Periskopi/Besarta Hoti/

 

Shpërndaje në: