U shpall akademik prej Konjufcës për patriotizëm: Bahtiri bëri marrëveshje me Goran Rakiqin për mure (Video)

U shpall akademik prej Konjufcës për patriotizëm: Bahtiri bëri marrëveshje me Goran Rakiqin për mure (Video)

Një deklaratë e bërë dje nga Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, bëri bujë të madhe në media dhe në rrjete sociale në vend dhe rajon. Ai do ta quante “akademik” Agim Bahtirin, bashkëpartiakun e tij që po garon për kryetar të Mitrovicës. Por, edhe pse deklarata në fjalë do të bënte xhiron e internetit, ajo që Konjufca kishte thënë sekonda më parë ishte edhe më e bujshme.

“Para katër pesë viteve ka pasë një plan shumë të rrezikshme me ia ndryshu kufijtë kësaj komune të cilën e keni ju sot.” – nisi fjalën e tij z. Konjufca.

Në fakt, Konjufca po fliste për dhjetorin e vitit 2016, kur Agim Bahtiri ishte bërë kryeprotagonist i lajmeve kombëtare.

Agim Bahtiri-Goran Rakiq

Mitrovica nisi të ndahej me anë të një muri. Në jug kryetar ishte Agim Bahtiri e në veri kryetar ishte Goran Rakiq, i cili sot është ministër i Albin Kurtit.

Dhe, derisa spekulimet e errëta vazhdonin e vazhdonin, ishte vet Bahtiri që LIVE në televizion e kishte pranuar arritjen e një marrëveshjeje me Rakiqin për murin në fjalë që ishte denoncuar nga të gjitha partitë politike, edhe nga Vetëvendosje.

“Marrëveshja e pramshit ka qenë fenomenale – unë mendoj ashtu,” – flet Bahtiri më 15 dhjetor para kamerës së Klan Kosovës, përcjell Periskopi.

“Ka pasur marrëveshje mbrëmë?” – e pyet i çuditur gazetari Kushtrim Sadiku.

“Po sigurisht që po. Ai muri duhet me shku në kuotën 0. Dhe prej kuotës 0… kemi lejuar që 80 centimetra të jetë naltësia prej kodit të rrethrrotullimit deri te kodi i platosë, por të jetë me shkallë. Dhe aja [muri] do të jetë shumë e bukur.” – vijon më tej fjalën e tij Bahtiri me zë dhe figurë.

 

Një javë e një ditë më vonë, në Kuvendin e Kosovës do të diskutohej pikërisht për Murin e Mitrovicës. Natyrisht, si në çdo seancë nacionaliste, Vetëvendosja ishte më e zëshmja duke e denoncuar një gjë të tillë.

Kujtojmë për lexuesit që Agim Bahtiri kishte bërë marrëveshje me kryetarin e asokohshëm të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiqin.

“Ajo që bie në sy dhe të bën përshtypje është natyrisht një dyfytyrësi dhe një qëndrim i pandershëm me atë që na ka ndodhë deri tash,” – nis fjalën e tij në seancë z. Konjufca.

“Goran Rakiqi, zonja dhe zotërinj, nuk është një bandit ilegal. Edhe pse për banditë pajtohem që është. Por, ai është i pajisun me pushtet lokal zyrtar të Republikës së Kosovës, që ju vet si koalicion mazhoritar e keni ndërtu.” – vazhdonte më tej Konjufca, pa e ditur që gati pesë vjet më vonë, do ta quante “akademik” Agim Bahtirin për marrëveshjen që e kishte bërë me Rakiqin.

AMkademiku

Çka tha dje z. Konjufca që provokoi reagim aq të ashpër shoqëror përtej fjalës “akademik” dedikuar Agim Bahtirit?

E gjithë e folura e Konjufcës dukej tallëse gjatë krejt kohës, derisa vazhdonte të imitonte skeçet e grupit Stupcat.

Ajo që bie në sy, siç mund ta lexoni në transkriptin e mëposhtëm është përmendja e vazhdueshme e emrit të Albin Kurtit para qytetarëve, çka e dëshmon edhe më mirë tendencën për manipulim.

“Ne kemi qenë dëshmitarë, edhe kryeministri Albin Kurti, edhe unë personalisht, që ky njeri që e keni tash këtu – ka pasë ngulë që mos me ndodh. Me rujtë së paku atë që e kemi, edhe mos me u degradu tutje kufijtë e asaj pjese ku jetojnë shqiptarët. Edhe e ka fitu besimin tonë në qat moment, meqenëse nuk e ka pasë fort përkrahjen e nivelit qendror. Ka mbetë i vetmumë. Por, i vetmuar deri në fund e ka mbrojtë Mitrovicën në aspektin kombëtar, edhe politik. Prandaj, kur e kemi pa ne vendosmërinë – edhe Albin Kurti edhe ne të tjerët – që mos me bo ma kompromise në territor të Mitrovicës, e kemi ditë që rrugët tona kanë me u bashku.”

“Gjithë” – ia kthen z. Bahtiri, pas së cilës Konjufca nuk përmbahet dhe shpërthen në një të qeshur.

“Prandaj jemi këtu për me thonë që në pikëvështrimin tonë qiky osht aspekti më i rëndësishëm në politikë. Munesh me thonë, a din me shitë kështu përralla për urbanizimin e planifikimin hapësinor e. Po qitu në Mitrovicë nëse nuk je kombëtar… nuk i vynë kurrkujt hiç. E në aspektin kombëtar, po jau thom një gjë, në aspektin e politikës… për tjerë kundërkandidatë muna me thon që Agim Bahtiri osht akademik.” – vazhdon më tej Konjufca.

E muri? – mund të pyes dikush kryekuvendarin i çuditur. Natyrisht, nuk do të marrë përgjigje.

Shpërndaje në: