U sulmuan nga Bekim Jashari, VV në Drenicë e përballë djalin e Hamzës me filozofin Jean Baudrillard

U sulmuan nga Bekim Jashari, VV në Drenicë e përballë djalin e Hamzës me filozofin Jean Baudrillard

Një përplasje e re ka nisur në komunën e Skënderajt pas zgjedhjeve të 17 tetorit mes Bekim Jasharit dhe Vetëvendosjes.

Udhëheqësi i degës në këtë komunë kërkoi rivotime për shkak të manipulimeve, edhe pse nuk kishin pasur fare kandidatë për kryetar të komunës.

Bekim Jashari me një shkrim të gjatë kishte akuzuar për “lojë të ndyrë” dhe propagandë Vetëvendosjen, ndërsa së fundi ka reaguar edhe kjo parti.

Hysni Mehani nga kjo parti ka deklaruar që për shkak të mbështetjes ndaj Vetëvendosjes, VV është kthyer “20 vjet prapa”.

“Të gjitha partitë tjera do të mungojnë në Kuvend Komunal, përveç ne si Lëvizje që do të mbesim me nivelin e njëjtë të përfaqësimit, larg synimeve dhe potencialit që kishim për këto zgjedhje. Praktikisht jemi kthyer 20 vjet prapa, në vitet 2001-2002.” – ka shkruar ndër tjerash z. Mehani.

Kujtojmë që VV është bërë pjesë aktive e skenës politike vetëm në vitin 2010.

Po ashtu, Mehani i ka përmendur Bekim Jasharit një prej filozofëve më me ndikim bashkohorë, Jean Baudrillardin.

“Bodriari thotë së njerëzit sot vlerësojnë imazhin, jo përmbajtjen. E Kamishi me anë të imazhit dëshiron të relativizojë të parelativizueshmën.” – është shprehur më tej udhëheqësi i VV në këtë komunë.

Statusi i plotë:

Nëse do heshtnim, do thoshte pse heshtni?

E tash kur reaguam, pse reaguat??‍♀️

Meqë Bekim Jashari më paska akuzuar me shkrime të porositura nga Bekim Haxhiu, po i përgjigjëm jo me mllef por me qetësi e analizë.

…………

Përkrahja që partitë opozitare në Skënderaj i kanë dhanë listës se Bekim Jasharit, ka qenë fillimisht fatale për to, për vetë Bekimin dhe për demokracinë në Skënderaj.

Kjo përkrahje që partitë opozitare i dhanë Bekimit, i shkoi përshtati PDK-së të ndërtonte kauzën së të gjithë ishin kundër saj, dhe se, Bekimi ishte njeriu i përzgjedhur për ta shkatërruar PDK-në. E, Bekimi i hutuar dhe rrethuar nga njerëz që s’kanë haber për politikën, në tubime nxjerrte njerëz në foto që ishin bërë protagonistët kryesorë opozitarë në zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërsa në emisione televizive dërgonte Kamishin që ta akuzonte Albin Kurtin se ia kishte ndalur buxhetin Bekim Jasharit dhe se partitë opozitare nuk ishin tërhequr në shënjë respekti për familjen Jashari, por sepse nuk kishin gjasa. Kështu me një gurë vriteshin dy zogj! Por, zogjtë e gabuar.

Askush nuk i ka faje Bekim Jasharit së në kampin e tij nuk kishte një strategji për të bërë fushatë, por strategjitë ndrroheshin tre herë në ditë dhe atë si i shkonte përshtati PDK-së.

Pra, Kamishi që bëhej se e përkrahte Bekimin po i bënte argatin e duhur PDK-së! Partitë tjera ishin tërhequr sepse nuk kishin gjasa, e jo në shënjë respekti për familjen Jashari. E, PDK që kishte gjasa nuk kishte pse ta bënte këtë! Mesazhet e vërteta nuk shkruhen në rreshta! Mesazhet e vërteta nxjerrën mes rreshtave!

“Mësuesi thotë: nxjerre shpjegimin.”

Nëse Kamishi nuk i ka bërë argatin PDK-së gjatë gjithë kësaj kohe, si shpjegohet që nuk largohet nga një parti që ka luftuar kundër familjes Jashari dhe vlerave të UÇK-së, siç thoshte vetë ai?!

Në anën tjetër, atë që PDK dhe Sami Lushtaku e kishte bërë kauzë kryesore kundër Bekim Jasharit dhe e thonin zëshëm në tubime; se Lëvizja VETËVENDOSJE! po donte ta shkatërronte PDK-në përmes Bekim Jasharit, kandidatët për Kuvend Komunal në listën e Bekimit Jasharit e vërtetonin në heshtje e edhe me postime duke i nxjerrur në foto atë që diheshin si përkrahës tanë. Pra, kundër Bekimit po punonin më së shumti atë që duhej të punonin pro tij. Madje të tillët po përkujdesishin që situata të mos acarohej! Ata thonin se ishte çështje ditësh se kur kandidati i subjektit të tyre amë, pra PDK-së do të tërhiqej. E fundit ishte sa kandidati i PDK-së do të tërhiqej pak para fillimit të heshtjes zgjedhore. Kështu fushata shkoi çuditërisht e qetë dhe duke mos u nxjerrë asnjë dokument inkriminues për PDK-në, nga ata që thonin se kishin dëshmi të tmerrshme mbi atë se si kishte keqqeverisur PDK-ja.

Me pak fjalë: “Vdekja fashizmit e fashistët me veti.” Kundër PDK-së e me njerëz të PDK-së, nuk shkonte.

Kështu edhe pse partitë opozitare u munduan t’i bëjnë një nder Bekim Jasharit për hater të familjes, rezultati doli të jetë tërësisht gabim. Do duhej që partitë opozitare të kishin vetëm 8% dhe sot në Skënderaj të kishte balotazh, e mandej ai burri që bërtiste “o u kënaqum bre” të mos ndërronte taborrin fare. E ai djali që thërriste “baba” ta kuptonte se në ditën vendimtare kur përballësh me mëkatat emri që thirret është ai i nënës. E mëkat më të madh sesa rikthimi i PDK-së së uritur në pushtet nuk mund të këtë.

Si Lëvizje ishim të bindur që duhej të kishim kandidat dhe po përgatiteshim për këtë gjë.

Siç duket ndryshe mendonte Bekimi, pasi që partitë që diheshin që ashiqare e përkrahnin Bekimin nuk nxorren kandidatë. Madje edhe njëra që e kishte nxjerr kandidatin (LDK) e tërhoqi më pas. Duke e nxjerrë në foto bacën Rifat dhe deklaruar se ai po e mbështeste për një mandat të dytë, mesazhi i Bekimit ishte i qartë! Bekimi po kërkonte nga të gjithë të tërhiqen dhe ta lënë atë të përballet me PDK-në, mbase më shumë shpresonte se kështu do të trokiste në ndërgjegjen me derë të hapur të PDK-së, e edhe ata të tërhiqen!

Të gjithë u tërhoqem  përveç PDK-së. Në ndërkohë që PDK, në të vërtetë po garonte me dy kandidatë kundër Bekim Jasharit. Njërin që dihej zyrtarisht dhe tjetrin që e akuzonte Sami Lushtakun për gjëra që botërisht diheshin, ndërsa për Bekimin thoshte gjëra që publiku i dëgjonte për herë të parë.

Sa për sqarim, njerëzve të Bekmit, me pjesën atyre që mund të flasësh normalisht, e vlerësonin tërheqjen tonë shumë dhe na falënderonin për këtë gjë.

Nuk e kam paraqitur unë Bekimin të afërt me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. E ka paraqitur ai me fotot e tij në shesh e kudo tjetër.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë çdoherë e afërt me Bekimin si anëtar i familjes Jashari dhe do të jetë përherë përulëse ndaj kësaj familje LEGJENDARE.

Akuzat tjera seriozisht janë adoleshente!

Çfarë duhej të bënim ne tjetër gjë gjatë fushatës?! Nëse e kritikonim PDK-në dilnim se po i bënim argatin Bekim Jasharit dhe vërtetonim kauzën e rrejshme të PDK-së së ne dhe Bekim Jashari ishim bashkë. Gjë që nuk ishte e vërtetë! Dhe po vërtetohet tashmë!

Nëse thonim diçka për qeverisjen Bekim Jasharit dilnim kontradiktorë, në njërën anë e përkrahnim e në anën tjetër e kritikonim.

Kështu pozicioni ynë ishte “pat” në shah, pozicion që na kushtoi në rezultatin e zgjedhjeve.

Ishim peng të fjalës së dhënë të cilën e mbajtëm deri në fund edhe pse na kushtoi shumë, sërish jemi krenarë, sepse u rreshtuam drejt në një moment historik dhe pa kalkulime, siç po na propozohet tash.

Por jo vetëm ne, i kushtoi krejt opozitës, i kushtoi krejt Skënderajt.

Manipulimi i zgjedhjeve në Skënderaj për ne nuk është risi dhe çdo herë kemi qenë të vetëm në mbrojtjen e votës. Sigurisht që kampit të Bekimit që vjen nga struktura e PDK-së i djeg shumë tash kur shohin se vjedhja e votës nuk është gjë e mirë. Por vetë e kanë kultivuar, e normalisht që djeg shumë kur të vret arma jote.

Mua më shqetëson fakti, një video që dëshmon se si ishte keqpërdorur vota dhe kampi që po akuzon tash e kishte qysh nga e hëna pse nuk e publikonte?

“Treni bullgar” ka ndodhur dy netë rresht nëpër shtëpitë e njerëzve dhe kjo nuk ka si si bëhet dëshmi për prokurorinë?! Një mik opozitar që nuk do të ketë asnjë ulëse në kuvend komunal dje me thoshte: “vullneti është i lirë edhe kur blihet më 20€, e sidomos kur blihet më 20€ është i lirë.”

Në përbërjen e re të kuvendit komunal, i mbetet PDK-së t’i bëjë opozitë PDK-së.

S’është më Bekimi e as partitë opozitare! Mbeti PDK!

Të gjitha partitë tjera do të mungojnë në Kuvend Komunal, përveç ne si Lëvizje që do të mbesim me nivelin e njëjtë të përfaqësimit, larg synimeve dhe potencialit që kishim për këto zgjedhje. Praktikisht jemi kthyer 20 vjet prapa, në vitet 2001-2002, veçse atë botë krijoheshin figura politike vetëm pse e kishin një dorë rreth qafës së Adem Jasharit, e PDK gjatë gjithë kësaj fushate po tregonte që më e rëndësishme ishte dora sesa qafa që e rriti dorën.

…….

Si e shoh unë reagimin e mbrëmshëm të Bekim Jasharit e sidomos përbërjen e postimit  të tij?

Sigurisht që ky shkrim është porositur nga Kamishi, ashtu siç Kamishi ishte dërguar në shtabin zgjedhor të Bekimit nga PDK.

Bekimi (Kamishi) nxjerrë foton time dhe të vendvotimeve ku votuan serbët në Banjë për PDK-në në mënyrë masive në të njëjtin postim.

Çfarë dëshirojnë të shkaktojnë me foton time bashkangjitur me fotot e vendvotimeve serbe, që siç e thashë e votuan në mënyrë masive PDK-në?!

Efekti psikologjik që provohet të shkaktohet tek qytetarët është tërheqja e paraleles. Kështu relativozohet krimi i PDK-së kur bleu votën serbe kundër Bekim Jasharit.

Bodriari thotë së njerëzit sot vlerësojnë imazhin, jo përmbajtjen. E Kamishi me anë të imazhit dëshiron të relativizojë të parelativizueshmën.

Por kjo nuk është e tëra, duke e ditur se tash në komunat tjera do të këtë balotazh e me atë çfarë ka ndodhur në Skënderaj PDK në qytet tjera mund të dalë shumë keq, po tentohet të shitet mjegull. Këtë gjë qytetarët nuk e kapërdijnë më.

Megjithatë, unë e falënderoj shumë kryetarin për reagimin që paska bërë. Ai vërtetoi atë që unë nuk mund t’i bindja assesi qytetarët e Skënderajt.

Pra, ai vërtetoi që përkrahja e jonë ishte e sinqertë, pa asnjë kalkulim a marrëveshje për pushtet. Thjeshtë dhe vetëm për hatër të familjes Ikonë JASHARI.

Shpërndaje në: