U tha se posti i Presidentit do t’i takojë LDK-së, flasin nga Vetëvendosje

U tha se posti i Presidentit do t’i takojë LDK-së, flasin nga Vetëvendosje

Ka kaluar një javë prej kur janë takuar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për të arritur marrëveshje për koalicion qeverisës.

Që nga hëna e kaluar, takimet në mes të dy krerëve të këtyre dy partive, atij të LVV-së Albin Kurti dhe Isa Mustafës të LDK-së janë pezulluar, pasiqë në pazar u fut edhe posti i Presidentit, shkruan Periskopi.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, në media ka qarkulluar lajmi se Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka pranuar kushtin e LDK-së për t’i mundësuar kësaj të fundit që në vitin 2021 kur Presidentit të vendit Hashim Thaçi, t’i ketë përfunduar mandati, LDK-ja të propozojë emrin e Presidentit. ‘’VV lëshon pe, posti i Presidentit do ti takojë LDK-së’’, është thënë një artikull të Indeksonline duke u thirrur në burime të veta.

Por, në Lëvizjen Vetëvendosje është mohuar kategorikisht ky lajm. Madje nga zyra për media në VV e kanë quajtur lajm të fabrikuar që ka për qëllim të nxisë provokime.

‘Duket si lajm i fabrikuar për të provoku sepse prej takimit të fundit të para një jave ende nuk ka pasur asnjë takim mes dy kryetarëve’’, deklaruan nga Vetëvendosje në një përgjigje për Periskopin.

Javën që shkoi nënkryetarja e LDK-së që ishte edhe kandidate për kryeministre nga kjo parti në zgjedhjet e 6 tetorit, Vjosa Osmani, i ka bërë thirrje LVV-së që të vazhdojnë bisedat për finalizimin e marrëveshjes LVV-LDK, duke thënë se ‘LDK po pret që LVV të thërrasë takimin e radhës’. /Periskopi/Zana Rugova/

Shpërndaje në: