U vra mbrëmë në Astir, Erigers Mihasi po linte pas të shkuarën, kishte fillluar të frekuentonte xhaminë

Periskopi.com Lajme

Plumbat e kallashnikovit morën 2 jetë të tjera mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Erigers Mihasi, 32-vjeç, u ekzekutuar në një atentat mafioz në zonën e Astirit, teksa nga breshëria e plumbave gjeti vdekjen edhe miku i tij Armand Dumani, 26 vjeç.

Mihasi një emër i njohur për policinë, la pas tre fëmijë jetim. Teksa gjithë kohën kishte jetuar ditë të trazuara i përfshirë në ngjarje kriminale dhe në luftën mesa bandave, duket se së fundmi Mihasi nuk ruhej, ku as në udhëtimin e tij të fundit në Astir, policia nuk gjeti asnjë armë apo send të paligjshëm në automjet.

Së fundmi mësohet se Mihasi po tentonte që të ndryshonte stilin e tij të jetesës, duke dashur të largohet nga rruga dhe për t’ju përkushtuar besimit, rrugës së drejtë dhe larg krimeve. Mihasi kohët e fundit kishte filluar të frekuentonte xhamitë në Tiranë. Përmes një postimi Xhamitë e Tiranës tregon se 32-vjeçari kishte filluar të pendohej për gabimet e tij dhe donte të linte larg të shkuarën e errët.

“Te Zotit jemi dhe vetëm tek Ai një ditë padyshim do të kthehemi! Mbrëmë ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të tij Erigers Mihasi i cili u vra në një atentat tek Astiri bashkë me shokun e tij. Erigersi sapo kishte filluar të frekuentonte xhaminë duke ju kthyer rrugës së Zotit dhe duke lënë pas tij të kaluarën e errët, mirëpo deshi Allahu ta merte nga kjo botë. Namazi i Xhenazes do të falet sot në varrezat e Sharrës në orën 14:30. “Të gjithë njerëzit janë gabimtarë, po më i miri prej tyre është ai që pendohet te Zoti i tij.” (Profeti Muhamed a.s) Zoti ia pastë pranuar sakrificën për t’iu kthyer rrugës së mbarë, Zoti ju dhëntë durim familjarëve të tij”, shkruhet në postimin e Xhamive të Tiranës.

Kush është Erigers MihasiAi nuk është një emër i panjohur për policinë, ku njihej si mik i Ervis Martinajt. Tre vite më parë u shoqërua për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok. Më herët ai është arrestuar edhe si person i dyshuar për grabitjen dhe torturimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por gjykata e liroi nga qelia për mungesë provash.

Në qershor të vitit të kaluar Erigers Mihasi u shpall në kërkim nga policia në lidhje me arsenalin e armëve të gjetura në Yrshek në banesën e Gëzim Harokut. Sipas grupit hetimor armët ishin përdorur në një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në kryeqytet, në Durrës, Sarandë dhe në Shkodër. Armët në banesën e Harokut, u gjetën pas hetimeve që efektivë të komisariatit numër 6 bënë lidhur me breshërinë e plumbave mbi kompleksin Eiffel në periferi të Tiranës më 15 qershor. Hetimet zbuluan se autorë të kësaj ngjarjeje ishin Gëzim Haroku dhe Erigers Mihasi.

Mihasi ishte mik i ngushtë edhe me Santiago Malkon, ish-policin e vrarë në Porcelan më 27 gusht 2019, me të cilin dyshohet se kanë qenë autor të plagosjes me armë ndaj kushërinjve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi në Tiranë në 2018, ku nga sulmi mbeti i plagosur edhe shoku i tyre Ibrahim Durollari./abcnews.al/