Udhëkryqi Kosovë-Serbi-BE: Për kë bien kambanat?

Udhëkryqi Kosovë-Serbi-BE: Për kë bien kambanat?

Gati gjashtë vjet që prej marrëveshjes së parë të “parimeve për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, e cila ishte duartrokitur dhe pritur me entuziazëm të tepruar në Bruksel, të dy vendet vazhdojnë të jenë në rrugë qorre dhe shumë larg normalizimit të marrëdhënieve mes vete.

Në të vërtetë, e vetmja gjë që është normalizuar është qasja e sipërfaqshme dhe këmbëngulëse e dykuptimësisë kreative nga Bashkimi Europian, që i ka kushtuar shtrenjtë Kosovës. Për fat të keq, Bashkimi Europian ka dështuar ta përmbush premtimin e tij se “marrëveshja historike do ta shtrojë rrugën për procesin vendimmarrës në perspektivën europiane për Kosovën dhe Serbinë” (Komisioni Europian, 2013), meqë në rastin e Kosovës është treguar pothuajse krejtësisht i paaftë në mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura.

Megjithëse është treguar shumë bashkëpunuese, deri në pikën e të qenit nën tutelën e BE-së në zbatimin e Planit të Ahtisaari-t, që paraqet modelin më të përparuar të mbrojtjes së të drejtave të pakicave në rajon, më 2011 Kosova ishte vënë nën presion të madh për të nisur një tjetër dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në këmbim, Brukseli thoshte se Kosova do t’i integronte komunat veriore në sistemin e saj, do të merrte liberalizimin e vizave dhe njohjen nga pesë vendet mosnjohëse të pavarësisë dhe do të bënte hapa përpara në shtegun drejt Bashkimit Europian. Sot shohim se asnjë nga këto gjëra nuk ka ndodhur, me gjithë lëshimet e mëdha dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm nga autoritetet kosovare në këtë dialog.

Bisedimet në Bruksel janë bërë sinonim për pafund takime, rinegocim dhe diskutime triviale për çështje si letërngjitësi në tabelat e automjeteve, rindërtimi i një ure dhe të tjera çështje të dorës së tretë, që megjithatë asnjëherë nuk janë zbatuar në praktikë. Është tragjike të shohësh se si një bllok shtetesh i fuqishëm, siç është Bashkimi Europian, merret për pesë vjet me ndërtimin e një rrethrrotullimi në Mitrovicë, i cili akoma nuk është bërë funksional. Ky është shembull i qartë i politikës që ka humbur rrugën në procese burokratike me rëndësi të vogël dhe pa asnjë dobi.

Por, akoma më i rëndësishëm se kaq është fakti se Serbia, që nga viti 2011, ka bërë përparim të madh në shtegun e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian, duke vazhduar ta sfidojë projektin europian për Kosovën, duke mbajtur raporte të afërta me Rusinë dhe me rezultate të dobëta në adresimin e krimeve të luftës, ndërsa Kosova mbetet në harresë politike.

Kosovës jo vetëm që i ka mbetur në derë një Marrëveshje për Stabilizim dhe Asociim, e konstruktuar për një shtet atipik, gjë që vihet në pah nga fusnota, por po ashtu i mohohet edhe liberalizimi i vizave. Shtete shumë më të korruptuara, që i shkelin më shumë të drejtat e njeriut dhe me institucione e kufij të padefinuar, si Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Kolumbia, kanë marrë liberalizimin e vizave – Kosova jo. Kjo nuk është më çështje e meritokracisë dhe gjykimit mbi kritere politike. Politikisht është e padrejtë, moralisht e papërligjshme dhe paraqet hipokrizi diplomatike që prek dinjitetin njerëzor të qytetarëve të Kosovës. Si e tillë, kërkon përgjigje të qartë nga institucionet e Kosovës.

Gjendja e tanishme duhet të jetë kambanë alarmi që liderët e Kosovës të reflektojnë në asimetrinë mes tri palëve të përfshira në proces dhe të jenë më të vendosur për t’i mbrojtur interesat e vendit në të ardhmen. Tani është koha që të qëmtohet sa pak ka marrë Kosova nga BE-ja, në këmbim të dekadave të të qenit konstruktive në procesin e ndërtimit të shtetit dhe në dialogun rajonal.

Akoma më me rëndësi është që të mendohet jashtë Procesit të Brukselit, që Kosovën e ka vënë në pozitë inferiore dhe të tëhuajësuar edhe karshi shtegut europian, edhe karshi shteteve fqinje dhe atyre të Bashkimit Europian. Është koha për një qasje të re, që për prioritet ka rrumbullakësimin e shtetësisë, duke siguruar njohjen nga Serbia, ulësen në OKB dhe perspektivën drejt BE-së.

Në këtë kontekst, propozimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për korrigjimin e kufijve me Serbinë duhet parë në dritën e situatës në terren dhe, akoma më me rëndësi, në dritën e nevojës urgjente të Kosovës për të dalë nga qorrsokaku i marrëdhënieve me Serbinë dhe BE-në.

Ndonëse mund të jetë e ndjeshme, marrë parasysh historinë e fundit në Ballkan si rezultat i  përplasjeve etno-politike, strategjia e Kosovës duhet ndërtuar mbi interesat e Kosovës dhe jo vetëm mbi konsideratën për stabilitetin e rajonit – për të cilën gjë Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kanë dhënë kontribut të çmuar – apo mbi konsideratat tjera në raport me Europën.

Para se ta diskutojmë apriori një propozim të tillë, le t’i mendojmë për një çast alternativat.

Çfarë shtegu tjetër mund të zgjedhë Kosova? Vazhdimin e bisedimeve me status neutral, që vazhdimisht shpërblen Serbinë, ndërsa e mban në harresë dhe izolim Kosovën?

Edhe entuziastët më të mëdhenj të tij e pranojnë se ai cikël ka përfunduar dhe se Kosova nuk mund të marrë më asgjë përpos çimentimit të pozitës asimetrike dhe inferiore karshi BE-së dhe Serbisë.

Në këto rrethana, Kosova ka nevojë për aleatë të vjetër dhe të rinj, ngaqë nuk mund të durojë të bëhet subjekt i një tjetër eksperimenti politik, ose i një Bruksel 2, thënë ndryshe. Njohja nga Serbia dhe ulësja në OKB, që do t’ia çelte rrugën për njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së, për Kosovën është domosdoshmëri që peshon më rëndë se interesat dhe kalkulimet personale, apo konsideratat rajonale.

Thënë shkurt, me gjithë dekadat e të qenit pjesë e proceseve, Bashkimi Europian ka dështuar në reformat institucionale – ku EULEX ka luajtur rol qendror – për ta afruar Kosovën me veten, si edhe në ndreqjen e raporteve me Serbinë. Megjithëse Kosova mban hisen e vet të fajit, kryesore në këtë dështim ka qenë politika shkurtpamëse e statusit neutral nga BE-ja dhe dykuptimësia kreative që në afat të gjatë e ka ndarë dhe izoluar Kosovën nga pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndaj, tani është koha që liderët e Kosovës, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët rajonalë e europianë, të kërkojnë zgjidhje tjetër nga ajo që ka ofruar Procesi i Brukselit.

Është koha të hetohen të tjera shtigje politike, pa përjashtuar zgjidhje që i shkojnë për shtati Kosovës dhe shqiptarëve, për hesap të konstruktit politik apo atij kufitar.

Megjithëse përmban shumë rreziqe dhe ndërveprime, është bërë e qartë se kjo është e vetmja mënyrë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, duke rritur bashkëpunimin në rajon dhe përshpejtuar integrimin europian.

Alternativa tjetër është zgjatja e status quo-së në llogari të Kosovës dhe shqiptarëve në rajon.

Shpërndaje në: