UEFA hap hetime ndaj Kosovës për ndeshjen me Malin e Zi

UEFA hap hetime ndaj Kosovës për ndeshjen me Malin e Zi

Federata e Futbollit e Kosovës mund të marrë ndonjë gjobë për shkak të zhvillimeve në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2020” ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të zhvilluar të hënën në Prishtinë.

Të enjten pasdite Komisioni Disiplinor i UEFA-së ka iniciuar procedurë disiplinore për FFK-në dhe për Federatën e Futbollit të Malit të Zi.

Për FFK-në është hapur procedurë për hedhje të gjësendeve, ndërsa në njoftim nuk janë dhënë më tepër informata. Ndërsa për Federatën e Futbollit të Malit të Zi është hapur procedura për hedhje të gjësendeve dhe për trazirat e shkaktuara nga tifozët e Malit të Zi, shkruan Koha Ditore. Trupi i UEFA-së për Kontroll, Etikë dhe Disiplinë do të merret me këtë rast më 21 nëntor, ka njoftuar UEFA në faqen e saj zyrtare.

Në ndeshjen e fituar 2:0 nga Kosova, në tribuna ishin rreth 100 tifozë të Malit të Zi, ardhja e të cilëve nuk ishte bërë publike më parë. Pasi në fillim të ndeshjes pati një fërkim mes lojtarëve në fushë, tifozët e Malit të Zi nisën një përleshje me përgjegjësit e sigurisë dhe tifozët kosovarë që ishin pranë tyre.

Përleshja zgjati disa minuta, ndërsa me hyrjen e forcave speciale të sigurisë në stadium, tifozët malazezë u qetësuan.

Federata e Futbollit e Malit të Zi ka njoftuar edhe me përmbajtjen e raportit të delegatit të ndeshjes. Sipas federatës malazeze, në raport shkruan që tifozët e Kosovës me gjeste kanë provokuar tifozët e Malit të Zi, që ka sjellë konfliktin e tifozëve malazezë dhe personave përgjegjës për siguri.

Ndërsa për FFK-në, sipas njoftimit të Federatës së Malit të Zi, procedura është hapur për hedhje të gjësendeve nga shikuesit në drejtim të shikuesve mysafirë.

Shpërndaje në: