Ukë Rugova deklarohet i pafajshëm
Ukë Rugova është deklaruar se nuk ndjehet fajtor për aktakuzën rreth rastit të vizave.
“E kam kuptuar aktakuzën dhe deklarohem i pafajshëm”, ka thënë Rugova në seancën fillestare.
Prokurori e ka lexuar aktakuzën me 13 pika, dy prej të cilave ngarkohet ish-deputeti dhe djali i Presidentit Ibrahim Rugova, për krim të organizuar dhe armëmbatje pa leje, raporton KTV.
“Ukë Rugova ka krijuar, mbikëqyrë ose drejtuar aktivitetet e grupit kriminal të organizuar. Qëllimi i grupit të organizuar ka qenë për të përfituar materialisht duke furnizuar individët me viza Shengen nga Ambasada italiane në mënyrë të kundërligjshme dhe përmes korrupsionit”, ka thënë prokurori Andrew Hughs.
Të pafajshëm janë deklaruar edhe Astrit Haraqija dhe 15 personat tjerë të akuzuar derisa Gjykata ka veçuar procedurën për 4 persona të tjerë për shkak të mungesës së materialeve nga Prokuroria.



