Ukraina goditet rëndë nga skandali i dopingut: Manipulonte provat antidoping për sportistët e vet

Periskopi.com Sporti

Sporti në Ukrainë mund të preket nga një skandal i rëndë dopingu. Agjencia Ndërkombëtare Antidoping (WADA) ka publikuar një raport, në të cilin akuzohet agjentia ukrainase antidoping, për manipulime të rënda në testet e kryera që nga viti 2012 deri më sot.

Sipas WADA, që prej dy vitesh kryen një hetim të quajtur “Operacioni Herkuli”, autoritetet antidoping në Ukrainë ndihmonin sportistët të kalonin pa probleme kontrollet antidoping.

Ata i lajmëronin më herët sportistët për testet ose organizonin kontrolle private antidoping, duke manipuluar provat.

Gunter Younger, që ka kryer hetimet në Ukrainë, shpjegon: “Praktikat antidoping të ndjekura nga antidopingu në Ukrainë janë të manipuluara nga një pjesë e personelit. Kemi prova që antidopingu telefononte sportistët apo trajnerët, duke i lajmëruar se nesër kishin kontroll. Kjo praktikë kryhej zakonisht para eventeve të rëndësishme ndërkombëtare”.

Mësohet se kjo praktikë manipulimi është aplikuar në të paktën 6 raste edhe para Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. Nëse këto akuza konfirmohen, atëherë Ukraina rrezikon përjashtimin nga Lojërat Olimpike, duke nisur që nga ato që zhvillohen pas 3 muajsh në Kinë.