Ukrainasit në qytetin e pushtuar të Khersonit betohen për besnikëri ndaj Rusisë

Ukrainasit në qytetin e pushtuar të Khersonit betohen për besnikëri ndaj Rusisë

Ukrainasit në qytetin e parë të madh që u pushtua nga trupat ruse  janë betuar për besnikëri ndaj Moskës përpara se t’u jepeshin pasaportat ruse.

Ceremonia e kësaj jave në qytetin Kherson, e cila u zhvillua nën një portret të Presidentit Vladimir Putin dhe stemës së Rusisë, – është një nga shumë që janë zhvilluar në rajonin jugor të Ukrainës javët e fundit, shkruan Sky News, përkthen Periskopi.

“Unë e dua Rusinë. Lavdi Rusisë!” tha njëri nga tre ukrainasit, pasi u zotua të mbronte Federatën Ruse.

“Jam e lumtur. Faleminderit”, tha një tjetër grua ukrainase, 92 vjeçe pasi fshiu lotët nga sytë e saj dhe iu dorëzua një pasaportë ruse nga një person i armatosur i veshur me maskë mjekësore.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia thonë se më shumë se 2,300 pasaporta ruse janë dorëzuar dhe më shumë se 11,000 aplikime janë paraqitur në atë që Ukraina dhe SHBA thonë se është një përpjekje e paligjshme e Moskës për të aneksuar territorin.

Moska e quan luftën e saj “një operacion special ushtarak” për të mbrojtur veten dhe për të mbrojtur rusishtfolësit, të cilët thotë se ishin persekutuar nga autoritetet ukrainase, diçka që Kievi e mohon.

Kontrolli i rajonit Kherson i jep Rusisë një korridor tokësor nga kufiri i saj në Krime, të cilin e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, dhe një kanal që përdoret për të furnizuar Krimenë me ujë të freskët.

Shumë nga popullsia e saj e paraluftës kanë ikur që atëherë.

Zyrtarët nga Rusia thonë se planifikojnë një referendum, ndoshta në shtator, në të cilin presin që rajoni të votojë për t’u bërë pjesë e Rusisë.

 

Shpërndaje në: