‘Unë i di vrasësit e babait tim Fehmi Aganit’

‘Unë i di vrasësit  e babait tim Fehmi Aganit’

Mentor Agani thotë se e di se kush janë njerëzit që saktësisht dy dekada më parë shkrepën në drejtim të babait të tij, Fehmi Agani, me të cilin ishte edhe në çastin kur forcat serbe e kishin kapur gjatë rrugës për në Maqedoni, për ta ekzekutuar dy orë më vonë. Më shumë se për vrasësit, ai do dënimin e urdhërdhënësve.

Mentori është mësimdhënës universitar dhe hulumtues i lartë në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED). Gjatë një interviste dhënë “Kohës Ditore”, nga zyra e tij në Institut, ai tregon se me shoqërinë civile lidhet një nga dy projektet e papërfunduara të akademik Aganit. Por, tregon edhe çastin kur njeriu që konsiderohet si truri i lëvizjes paqësore të shqiptarëve të Kosovës kishte nxjerrë përfundimin: “Unë misionin tem e kryva!”.

Në këtë intervistë, Mentori ka folur për atë që e ka shquar Fehmi Aganin në familje e edhe për preokupimet e tij. Ka treguar se kush e kishte marrë vendimin për ta braktisur Kosovën, e ka përshkruar rrugëtimin e bërë drejt Maqedonisë e edhe momentin kur serbët e kanë marrë Aganin. Ka folur edhe për vrasësit, shkruan sot Koha Ditore.

Mes të tjerash, i biri i profesor Aganit ka treguar nëse, dy dekada pas vrasjes, janë të pranishme problemet e politikës shqiptare, të cilat atëkohë e kanë shqetësuar profesorin.

KD: Si ka qenë profesor Agani si prind, si familjar? Çfarë e shquante në këtë rol?

Agani: Po, ajo që e ka shquar edhe në politikë: i urtë, i këndshëm, dashamir. Derisa ka qenë gjallë, ai është përpjekur të zërë sa më pak vend. Kur ka shkuar, ka lënë shumë zbrazësi. Vazhdimisht është përpjekur të të ndihmojë, pa të penguar. Vetveten kurrë nuk e ka vënë në plan të parë.

Vazhdimisht ka qenë i orientuar jashtë, qysh me ba sa më mirë dhe natyrisht kjo e ka karakterizuar edhe në familje.

Një herë patëm biseduar për këtë çështjen prind-fëmijë. E pati thënë një gjë interesante. Tha: “Prindi thotë: fëmija im. Fëmija thotë: prindi im – baba im ose nëna ime. Domethënë e kemi një kontest të pronësisë se kush është i kujt”. Tha: “Në të vërtetë, këtu fëmijët kanë të drejtë kur thonë baba im apo nëna ime. Pse? Për shkak se baba dhe nëna duhet vazhdimisht të jenë në shërbim të fëmijëve deri në moshën 18-vjeçare”.

 

Shpërndaje në: