‘Unë nuk mund të vdes pa e thënë këtë’: Ish-polici serb dëshmon për masakrën e Prekazit

‘Unë nuk mund të vdes pa e thënë këtë’: Ish-polici serb dëshmon për masakrën e Prekazit

Më 2009 e 2010 ishte dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë së Serbisë për krime lufte.

Atëherë në dëshminë e tij, Jovan Goluboviq asgjë s’kishte fshehur nga ngjarjet që ky thotë se i pa me sytë e tij në tre luftëra që i ndezi Serbia në Kosovë, Bosnjë e Kroaci.

”Ajo çka më së shumti më ka mbetur në kujtesë është se ai aksion në Prekaz të poshtëm në Lagjen Jashari jo që ka qenë mbi përdorim i forcës por ishte çmenduri serbe”.

”Aty ishte gjoja një terrorist me emrin Adem Jashari i cili posedon armatim të madh dhe njësia jonë duhej të bastiste shtëpinë e tij dhe të procedohet nëse zbulohen armë”, thotë ai.

”Unë çuditesha edhe atëherë pse gjithë ky aksion ku bëhet fjalë për një person. Por ne e kuptuam qysh në fillim se gjërat nuk janë të thjeshta dhe aksioni u urdhërua nga kreu i shtetit direkt nga Sllobodan Millosheviq nëpërmjet Jovica Stanishiqit, shef i Shërbimit sekret të shtetit”.

Urdhrin nga Beogradi për maskarën mbi Jasharët, Goluboviq thotë se e ka zbatuar Goran Radosavljeviq- Guri, shef i xhandarmërisë serbe, që është anëtar i Partisë Përparimtare serbe në krye me Aleksandar Vuçiq.

Goluboviq, kujton se policia vet e provokoi nisjen e sulmit me armë të kalibrave të ndryshme.

”Një makinë policore me megafon nga i cili në gjuhën shqipe është thirrur ‘’Adem Jashari të del dhe të mos bëjë rezistencë’’ sepse kanë ardhur kinse për bastisje. Në një moment dikush nis krismat. Më vonë e kuptuam se dikush nga ana jonë shtiu për të provokuar situatën. Nuk kishte të shtëna nga shtëpitë e Adem Jasharit”

Në luftimet e Drenicës, Golubovic thotë se mori pjesë personalisht dhe Milorad Ulemek-Legija, kreu i Beretave të Kuqe që ndodhet në burg për vrasjen e Kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.

”Adem Jashari është ekzekutuar me plumba pas shpine. Ai e ka përdorur njëfarë lloj strehe që e kishte në bodrumin e shtëpisë së tij dhe nga aty është vetëmbrojtur. Ai ka qenë pjesë e Ushtrisë së Jugosllavisë në Slloveni dhe posedonte njohuri për luftime. Opinioni serb nuk e di por disa me siguri kanë dijeni dhe unë me sytë e mi e kam parë që Adem Jashari është prerë në fyt”, deklaron ai.

Goluboviq, flet për skenat lemeritëse pas masakrës.

”I kemi  mbledhur trupat e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë, kush e drejtoi, e çfarë tabela kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur”.

Për të mos i parë trupat e të ekzekutuarve nga ekipet e gazetarëve dëshmitari atëherë i uniformuar thotë se u urdhërua varrimi.

”Urdhëri ishte i qartë qysh para nisjes në Prekaz na thanë askush nuk guxon të dal i gjallë nga fshati. I kemi  mbledhur trupat  e të vrarëve aty  kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë , kush voziti , e çfarë tabelat kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur. Na u dha urdhri që në një livadh të fshatit ti varrosim. Kemi hapur varret dhe i kemi varrosur 32 trupa. Shteti i Serbisë i ka dhënë arkivolet”.

Goluboviq, mbeti pjesë e njësisë speciale policore deri në fund të luftës së Kosovës dhe pa shumë vrasje e tortura ndaj civilëve.

Burri nga Vlastotinci pohon se e di vendndodhjen e një varreze masive në Jug të Serbisë.

”Një kamion –frigorifer i mbushur me mbi 40 trupa të të vrarëve kryesisht civilë nga 2 deri në 72 vjeç është sjellur për t’u djegur  në jug të Serbisë në Komunën e Surdulicës. Djegia nuk u bë dhe u dërgua në një vend tjetër që kufomat të fundosen. Unë dhe disa njerëz saktë e dimë ku është ajo varrezë masive”.

”Kur e kam përmendur këtë në Prokurori më thanë mos flisni për këtë rast, me të do të merremi më vonë. Unë nuk mund të vdes pa e thënë këtë”.

Ai i akuzon udhëheqësit e sotshëm në Serbi, presidentin Aleksandar Vuçiq, e kryetarin e Kuvendit Ivica Daçiq se heshtin pranë krimeve që janë bërë sepse sipas Goluboviq, ata janë pjesë e kastës që solli gjithë tragjedinë në ish-Jugosllavi.

Shpërndaje në: